3 Shtator, 2024 - 12:14 pm
Mbrëmë, organizata “Action For Health” realizoi një aktivitet domethënës në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri. Kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u ndriçuan me ngjyrë ari, duke shprehur solidaritet me fëmijët e prekur nga kanceri dhe familjet e tyre, si dhe për të nderuar kujtimin e atyre që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.
Kjo ngjarje është pjesë e një serie aktivitetesh të organizuara nga “Action for Health” gjatë muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri. Qëllimi kryesor është rritja e vetëdijes publike për kancerin në fëmijëri dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Nezaqet Rukovci, udhëheqësja e organizatës “Action For Health”, deklaroi: “Aktiviteti i sotëm synon të ngrejë dhe prekë ndërgjegjen e secilit prej nesh, sidomos të atyre që janë përgjegjës në sektorin e shëndetësisë. Ne kërkojmë angazhim më të madh, veçanërisht në fazat e hershme të luftimit të kësaj sëmundje tek fëmijët.”
Ky aktivitet i sotëm ka bartur një mesazh inkurajimi, force dhe ftesë për qytetarët të bashkohen në mbështetje të fëmijëve të sëmurë dhe familjeve të tyre që po përballën me këtë sfidë shëndetësore./ KultPlus.com