25 Nëntor, 2019 - 9:57 pm
Gjithandej ngjyra e portokalltë, për të nisur kësisoj “16 Ditët e Aktivizmit” edhe në Kosovë.
Një ngjarje për të cilën angazhohen plot qytete në botë, ka nisur sonte edhe në Prishtinë. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, filloi organizimi që dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në baza gjinore.
“16 Ditët e Aktivizmit” sonte u hap me pjesëmarrjen e personaliteteve të ndryshme që thirrën kundër dhunës në baza gjinore.
Ulrika Richardson nga UN bëri thirrje që të edukojmë edhe djemtë tanë me kujdesin që edukojmë vajzat tona, shkruan KultPlus.
Beautiful and poignant launch of the #16Days in Pristina in the lovely library building. Orange is the color of hope for a world free of all forms of violence against women and girls by 2030 #orangetheworld #GenerationEquality pic.twitter.com/PlH2u43VLH
— Alia El-Yassir (@elyassir_alia) November 25, 2019
“Vajzave u tregojmë gjithmonë çfarë të veshin, si të sillen, çfarë të thonë, por me djemtë nuk flasim shumë. Duhet edukuar gjinia mashkullore që edhe ata të kenë një kod të sjelljes dhe nuk duhet gjithmonë të kemi vetëm prioritet vajzat kur edukojmë” ka thënë gjatë fjalës së saj Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, shkruan KultPlus.
Gjatë natës ka folur edhe Karin Hernmarck, Ambasadore e Suedisë në Kosovë e cila ka thënë se dhunimi është ndër ato krime kur më e turpshme ndihet viktima sesa dhunuesi, prandaj duhet ndaluar çdo dhunë në baza gjinore dhe duhet të ketë zero tolerancë dhe duhet synuar zero viktima në këtë aspekt në të ardhmen.
Gjatë natës, grupi ZANAT ka performuar këngën “Një Lule”.
“16 Ditët e Aktivizmit” do të ketë plot aktivitete nëpër tërë Kosovën, për të ngritur edhe një herë debatin kundër dhunës në baza gjinore në Kosovë. / KultPlus.com