27 Gusht, 2023 - 10:31 pm
Zgjidhjen alternative e kanë gjetur, por rrjedhja e ujit sërish mund t’i rrezikojë librat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, pasi kjo nuk ngjan vetëm në një vend.
Lagështia nga reshjet e shiut në depon e bodrumit ka dëmtuar dyshemenë, muret e tavanin, e as myku nuk mungon.
Andaj stafi është vazhdimisht i mobilizuar që uji të mos i dëmtojë botimet, e një intervenim në këtë pjesë i munguar tash e sa vjet, po konsiderohet eminent.
“Këto burime dhe rrjedhje të sanohen dhe të jetë një stabilitet më i mirë, duke pasur parasysh rëndësinë e fondit që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare”, deklaroi Hyrije Thaçi, Shefe e Departamentit të Shërbimit Bibliotekar.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dërguar ekipe për të analizuar gjendjen në teren, e më pas të nisë edhe intervenimi.
“Tashmë është lidhur kontrata me kompaninë projektuese dhe po hartohet projekti i restaurimit të tërësishëm të këtij monumenti dhe institucioni të rëndësishëm kulturor”, bënë të ditur nga MKRS-ja.
Në këtë institucion ruhen gjithsejtë rreth dy milionë tituj.
Kronikë e zgjeruar nga Agnesa Sahiti./KlanKosova/KultPlus.com