4 Korrik, 2024 - 3:23 pm
Seminari perspektiva e re për trashëgiminë moderne në Evropën Juglindore i cili është i mbështetur nga Getty Foundation, është duke u mbajtur në Kosovë që nga 1 deri 4 korrik të këtij viti, në të cilin ka arkitektë nga e gjithë bota, nga Armenia, Ukraina, India, Australia, Amerika e nga Evropa.
Synimi i këtij seminari, është bartja e dijës dhe promovimi i draftimit të planeve të konservimit dhe menaxhimit jo vetëm në Kosovë por në tërë regjionin.
Drejtori i këtij seminari e festivali, Bekim Ramku ka thënë për kp se në funksion janë edhe tre punëtori për vlerësimin e vlerave të pallatit të rinisë dhe sportit, me ekipin LMNL nga Holanda të cilët po punojnë në oborrin e fondacionit dhe në shtëpinë e Hivzi Sylejmanit për të krijuar një bahçe.
“Seminari perspektiva e re për trashëgiminë moderne në Evropën Juglindore, është seminari i organizuar në bashkëpunim me Getty Foundation, ka pas një iniciativë të quajtur keeping it modern, që ka investuar në projekte të modernizmit për me krijuar plane të konservimit dhe menaxhimit. Njëri nga ato planet ka qenë plani që kemi bë për Bibliotekën Kombëtare 2016. Tash pas shumë vitesh kemi organizuar një seminar ku kemi mbledhur 40 persona prej të gjithë botës me prezentu.. Synimi është bartja e dijës dhe promovimi i draftimit të planeve të konservimit dhe menaxhimit jo vetëm në vendin tonë por në regjionin tonë… Jemi duke organizuar edhe festivalin e arkitekturës. Dje, kemi pasur mbrëmjen e parë të ligjëratave publike të cilat mbahen në Kino Armata, çdo ditë prej 18:45…. Kemi edhe tre punëtori që janë duke ndodhur, një punëtori është për vlerësimin e vlerave të pallatit të rinisë dhe sportit, tjetër me ekipin LMNL nga Holanda që janë arkitekt të peizazhit të cilët janë duke punuar me oborrin e fondacionit 17, shtëpinë e Hizvi Sylejmnait për të krijuar një bahçe dhe një punëtori”, ka thënë ai.
Ndërsa, arkitektja australiane Sheridan Burke, e cila ka bërë planin e konservimit të shtëpisë së operës në Sidney, e cila është në listën e trashëgimisë botërore.
Mesazhi i Burke është që si popull të kujdesemi për Bibliotekën Kombëtare, e cila e vlerëson atë si një thesar të vërtetë në Kosovë.
“Jam këtu për të qenë pjesë e një konferencë që është mbajtur për planifikimin e menaxhimit të ruajtjes për vendet e trashëgimisë moderne dhe gjithashtu për të qenë pjesë e festimeve të arkitekturës së Kosovës… Unë po prezantoj sonte për Shtëpinë e Operës së Sidneit, e cila është një ndërtesë në Sidnei ku jetoj dhe për të cilën kam ndihmuar të kujdesem. Shtëpia e Operës tani është në listën e Trashëgimisë Botërore… Është një lloj simboli i kombit, dhe qendra më e ngarkuar e arteve të shfaqjes në Australi. Pra kemi rreth 8 milionë vizitorë, që është një presion i madh… Më pëlqen kjo bibliotekë. Është thjesht një ndërtesë e jashtëzakonshme. E dini, unë me të vërtetë nuk kam parë diçka të tillë më parë dhe është e mrekullueshme të shohësh mobiliet ende këtu, veprat e integruara të artit, pamja e saj brenda qytetit është e mrekullueshme, keni një thesar të vërtetë këtu, kujdesuni për të”, është shprehur Burke.
Gjithashtu, Vaidas Petrulis nga Lituania, i cili është profesor i asociuar dhe mësimdhënës për arkitekturë, histori dhe trashëgimi kulturore në Universitetin e Teknologjisë në Kaunas, ka shtuar se populli është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, prandaj ata duhet të dinë se ku qëndron vlera e tyre.
“Në Kaunas kemi bërë një plan të menaxhimit të ruajtjes për ish-laboratorin e kërkimit kimik, ish-laboratorin e kërkimit ushtarak që tani është nën kujdesjen e Universitetit të Teknologjisë Kaunas dhe ne e përdorim këtë laborator për qëllime të studimeve….Ndoshta deklarata ime më e rëndësishme e tezës është se nëse doni të kujdeseni për trashëgiminë, populli është shumë i rëndësishëm, dikush duhet të kuptojë vlerën dhe për këtë qëllim është shumë e rëndësishme të zhvillohet një narrativë shumë e qartë për t’u treguar njerëzve pse është e rëndësishme se ku qëndron vlera. Dhe padyshim që ju duhet një histori bindëse, kështu që ajo që ne u përpoqëm të bëjmë është që lidhim laboratorin me të gjithë trashëgiminë e Kaunas, dhe Kaunas tani është qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s… Është e mahnitshme sidomos kur bëhet fjalë për gjysmën e dytë të shekullit të 20-të të vetë bibliotekës ku jemi. Është një ndërtesë fantastike me kupola ekzotike dhe në fakt nëse shikoni të gjithë zonën lindore duke filluar nga Estonia veriore dhe duke përfunduar në jug të Kosovës, do të gjeni shumë librari spektakolare”, ka shtuar ai.
Përveç seminarit, gjithashtu është duke u mbajtur edhe festivali i arkitekturës në Kino Armata nga ora 18:45./tv21/KultPlus.com