10 Korrik, 2024 - 1:02 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë në kuadër të prezantimit të pasurive kulturore të Qarkut Korçë, ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga biblioteka publike “Qemal Baholli” Elbasan, e cila është Monument Kulture i Kategorisë II.
Kjo ndërtesë është dhuratë e familjes Baholli, e ndërtuar posaçërisht si bibliotekë publike dhe është përuruar më 21 korrik 1935 .
Në bibliotekë ndodhet një sasi e konsiderueshme librash në sektorin albano-ballkanologjik, numri i të cilëve është mbi 5000 ekzemplarë. Librat në këtë fond janë në gjuhën shqipe dhe të huaj. Një pjesë e tyre janë latinisht, duke qenë se latinishtja përgjatë shekujve XV-XVI ka qenë gjuhë zyrtare në Evropë.
Një pjesë e rëndësishme e këtij fondi janë antikuarët, afërsisht 600 ekzemplarë, në të cilën janë përfshirë botime të historianëve të shquar të kohës. Libri më i vjetër që ndodhet në bibliotekën publike është “De Bellis Civilius Romanorum” i Appianit, botim i vitit 1526, në Venecia.
Tek vlerat e rralla të fondit të bibliotekës hyjnë dhe një sasi e konsiderueshme librash të orientit, tematika e të cilave është nga fushat e matematikës, mjekësisë, historisë, fesë, etj.
Librat e fondit albano-ballkanologjik kanë vlera të rralla për historinë, gjuhën, etnografinë dhe kulturën shqiptare.
Duke zotëruar këtë fond, së bashku me fondin e periodikut të vjetër, biblioteka publike “Qemal Baholli” renditet ndër më të pasurat në vend.