21 Shtator, 2021 - 7:30 pm
Në fjalimin e tij të parë në Kombet e Bashkuara, presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua për bashkëpunim me aleatët gjatë, siç tha, “një dekade vendimtare për botën tonë”.
Garancitë e tij vijnë në kohën e tensioneve për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe të një grindjeje të madhe diplomatike rreth një marrëveshjeje të re të sigurisë midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.
“Unë besoj se ne duhet të punojmë së bashku si kurrë më parë”, tha Biden para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Asambleja e 76-të po zhvillon punimet në Nju Jork, në sfondin e krizës klimatike dhe të pandemisë së koronavirusit.
Të dyja çështjet i kanë thelluar ndarjet midis aleatëve, por Biden bëri thirrje për bashkëpunim, duke thënë se “suksesi ynë është i lidhur edhe me suksesin e të tjerëve”.
Duke folur për tensionet e vazhdueshme midis SHBA-së dhe Kinës, Biden tha se vendi i tij “nuk po përpiqet për një Luftë të re të Ftohtë ose një botë të ndarë”.
Por, ai u zotua se SHBA-ja do ta mbrojë “me forcë” veten dhe aleatët e saj.
Biden gjithashtu e mbrojti vendimin për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani, duke thënë se “fuqia ushtarake duhet të jetë zgjidhja jonë e fundit”./KultPlus.com