Bideni përkujton 400.000 amerikanët e vdekur nga Covid-19

20 Janar, 2021 - 9:02 am

Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i përkujtoi 400.000 viktimat amerikane të koronavirusit në mbrëmjen e së martës në Washington DC, ndërsa shumë qytetarë u solidarizuan në rrjetet sociale për përkujtim kolektiv.

Shifra e tmerrshme e viktimave u arrit të martën. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në ShBA ka shkuar në 401.128 persona, ndërsa mbi 24 milionë janë infektuar. Të dyja shifrat janë bindshëm më të lartat në botë.

“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë. Nganjëherë është vështirë të kujtojmë, por kështu shërohemi. Është me rëndësi që ta bëjmë këtë si komb”, tha shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë gjatë ceremonisë për përkujtimin e viktimave të pandemisë.

Ceremonia u organizua nga komiteti inaugurues i Bidenit, i cili ngjarjen e përshkoi se mundësi për të reflektuar dhe për t’i nderuar ata që nuk janë më. Ky komitet bëri thirrje për një moment kombëtar të unitetit, duke kërkuar nga amerikanët që të ndezin qirinj në dritare, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Shumë amerikanë publikuan në rrjete sociale mesazhe të përkujtimit dhe fotografi të qirinjve. “U prehshin në paqe familja ime dhe miqtë e mi që humbën ndaj Covid-it. Lutem për babanë tim dhe shumë të tjerë që ende janë duke vuajtur dhe për ata që i kanë humbur të dashurit. Faleminderit, Biden, për nderimin e 400 mijë jetëve të humbura”, shkroi një përdoruese e Twitter-it.

Përkujtimit të viktimave nga presidenti Biden dhe nënpresidentja Harris iu bashkuan edhe zyrtarë të tjerë të lartë në mbarë vendin. Kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, tha se ky është një moment unitetit për qytetin dhe vendin. “Në mbarë Amerikën në këtë moment, njerëzit janë bashkuar me një qëllim të përbashkët: për t’i kujtuar ata që kemi humbur, për të ndier atë që familjet e tyre janë duke ndier”, shtoi ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme