Bido: Unifikim i dokumentacionit online me Kosovën

9 Qershor, 2024 - 3:00 pm

Arkivistë, studiues dhe ekspertë të arkivave nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në Konferencën e 8-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës mbajtur në Elbasan.

Konferenca u bashkëorganizua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Maqedonisë, dhe kishte si qëllim shkëmbimin e ideve  dhe përvojave mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës, Ardit Bido tha se për të 8-in vit radhazi, bashkohemi me shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, për të shkëmbyer ide dhe për të bashkëndarë punën tonë.

“Kultura e kombit është e pandashme. Ndaj, kur vjen fjala për arkivistikën, shqiptarë të të gjitha trevave, bëhemi “një”  dhe lëvrojmë revistën unikale të këtij lëmi “Arkivat Shqiptare”, e cila ka një traditë solide publikimi prej 59 vjetësh”, theksoi Bido.

Në këtë edicion, u bashkuan edhe pasardhës të familjeve me kontribut të përveçëm në çështjen kombëtare. “Në sajë të afinitetit të trashëguar mes tyre, Petro Luarasi, Rozi dhe Suela Dako evidentuan letërnjoftimin e pioneres të të drejtave të grave, të arsimit dhe të diplomacisë shqiptare, Sevasti Qiriazi. Nga sot, ky dokument që zbulon përkatësinë fetare ortodokse të Sevastisë, do t’i shtohet fondit të pasur të kësaj veprimtareje pranë DPA-së”, deklaroi Bido.

Ndërsa gjatë një interviste televizive, Bido deklaroi se janë duke u punuar për të arritur një unifikim të dokumentacionit online të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ne kemi 6 vite që punojmë duke u unifikuar dhe qëllimi është që të bëjmë edhe një unifikim online të dokumentacionit mes vendeve. Ne morëm dokumente mbi arbëreshët e Zarës në Kosovë. Po ashtu Kosova ka marr disa dokumente të tjera të figurave të historisë tonë kombëtare që vijnë nga Kosova. Çdo dokument që po marrin i përket të dyja palëve”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Bislim Bislimi, tha se arkivi mes dy vendeve nuk mund të funksionojë si i ndarë, pasi sipas tij Shqipëria dhe Kosova kanë histori të përbashkët.

“Ne kemi qenë dhe do të jemi edhe në vazhdim gjithmonë bashkë për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndarë vizionin, dhe për të ecur përpara drejt unifikimit të arkivit, sepse si tha Bido nuk mund të funksionojmë të ndarë sidomos në arkivë sepse kemi një histori dhe të kaluar të përbashkët”, tha ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme