Bienalja e Arkitekturës në Venecia, shpallet thirrja për projektide për pavijonin shqiptar

6 Gusht, 2024 - 1:58 pm

Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpalli thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025, me temë: “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive”.

MEKI njoftoi sot se hapi thirrjen për projektide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.

Ekspozita e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë, si zakonisht, pjesëmarrjet kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën historike të Venecias.

MEKI inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme dhe të dorëzojnë projektet e tyre deri më 30 shtator 2024./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme