19 Mars, 2025 - 10:02 am
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se mbrëmë ka lexuar një ‘Laudatio’ për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”.
“Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.
“Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale, ku edhe ka publikuar fjalimin e plotë./KultPlus.com