Bill Klinton falënderon shqiptarët: Ishte një mbrëmje që s’do ta harroj kurrë, nder të punoja me ju

4 Korrik, 2023 - 11:12 pm


Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton ka falënderuar shqiptarët për mikëpritjen e djeshme në vizitën e tij në Shqipëri, gjë të cilën ai e ka konsideruar si një mbrëmje që nuk do ta harrojë kurrë.

Përmes një postimi në Twitter, Bill Klinton shkruan se ai e ka pasur për nder që të punojë me shqiptarët me synimin për të forcuar miqësinë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

“Faleminderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama dhe popullit të Shqipërisë për një mbrëmje që nuk do ta harroj kurrë.

Ka qenë nderi im të punoj me ju për kaq shumë vite për të forcuar lidhjet e miqësisë midis vendeve tona dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë”, shkruan Bill Klinton.

Ish-presidenti amerikan vizitoi ditën e djeshme Shqipërinë ku u prit në një ceremoni në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u nderua me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” nga kryeministri Edi Rama, për gjithë kontributin e tij ndaj popullit shqiptar.

Ky është një nga çmimet më të larta që jep zyra e Kryeministrisë ndaj figurave të tilla dhe për këtë arsye Rama iu drejtua ish-presidentit Klintonit se ai ka qëndruar me Shqipërinë përmes fjalëve dhe veprave të tij duke dëshmuar angazhimin e Amerikës ndaj vendit tonë.

Në fjalën e tij përpara shqiptarëve, Bill Klinton adresoi edhe një mesazh për situatën në veri të Kosovës duke bërë thirrje se tensionet duhet të ndalohen sa më parë.

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u largua mesditën e sotme nga Shqipëria duke lënë pas një mesazh që e bëri publik vetë kryeministri Rama.

“Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do doja të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania” – Bill Clinton./rtsh.al/KultPlus.com

Të ngjajshme