Blinken përkujton gazetaren e vrarë ruse, Anna Politkovskaya

7 Tetor, 2021 - 3:30 pm

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka përkujtuar gazetaren ruse, njëherazi mbrojtësen e të drejtave të njeriut, Anna Politkovskaya, në 15-vjetorin e vrasjes, duke kërkuar që personat e përfshirë në këtë rast të mbahen përgjegjës.

“Sot bëhen 15 vjet nga koha kur gazetarja dhe mbrojtësja e të drejtave të njeriut, Anna Politkovskaya, u vra në Moskë për punën e saj të guximshme për t’i sjellë në dritë abuzimet e të drejtave të njeriut në konfliktin në Çeçeni dhe për t’u dhënë zë viktimave të këtij konflikti”, thuhet në deklaratën e kryediplomatit amerikan.

“Ne përsëri bëjmë thirrje që të gjithë të përfshirët në vrasjen e saj të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Mosndëshkimi i vazhduar i atyre që e urdhëruan vrasjen e Politkovskaya-s i minon lirinë e të shprehurit, lirinë e shtypit dhe të drejtat më të gjera të njeriut në Rusi”, thuhet më tej.

“Përderisa e përkujtojmë trashëgimin e Politkovskaya-s, ne i njohim guximin dhe këmbënguljen e gazetarëve të pavarur rusë – shumë prej tyre padrejtësisht të etiketuar si “agjentë të huaj” – që sot punojnë përballë agresionit. Ne qëndrojmë me ta sot e përditë”, përmbyllet deklarata e sekretarit Blinken./KultPlus.com

Të ngjajshme