Bllaca vendi i dhimbjes: 24 vjet nga dëbimi i shqiptarëve nga forcat serbe

10 Prill, 2023 - 9:15 am

Pikërisht 24 vjet më parë, në Kosovë ndodhi eksodi i shqiptarëve të cilët po dëboheshin dhunshëm nga regjimi serb në krye me Slobodan Milosheviqin, politika e të cilit synonte spastrimin etnik. Kështu, mbi gjysmë milioni shqiptarë u detyruan të iknin drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga forcat serbe, u vendosën në Maqedoninë e Veriut, 24 vjet më parë.

Para hyrjes në Maqedoni, rreth 70  mijë refugjatë, me ditë të tëra mbetën të bllokuar në fushëgropën e Bllacës, pasi presidenti i atëhershëm maqedonas, Kiro Gligorov, kishte për qëllim t’i dëbonte në vende të treta.

Kosovarëve të dëbuar që u detyruan të qëndrojnë në Bllacë, në qiell të hapur, në 10 ditët e para të prillit 1999, u dolën në ndihmë qindra aktivistë vullnetarë të organizatave të ndryshme.

“Me shpërndarjen e ndihmave elementare higjienike, me artikuj ushqimor, batanije. Ishte një mobilizim i pa parë atëherë. Mbi 20 vetura dhe furgon ishin në dispozicion Shkup-Bllacë. Mbi 300 aktivist vullnetar, një pjesë bukur e madhe ata flinin bashkë me refugjatët”, tha për RTK Behixhudin Shehapi Kryetar i Organizatës Humanitare “El Hilal”.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, më 10 prill të vitit 1999, Maqedonia e Veriut u detyrua të hapte kufirin me Kosovën.

Më shumë se gjysma e refugjatëve u vendosën nëpër shtëpitë e shqiptarëve, kurse pjesa tjetër nëpër kampe.

“Kjo ishte pika e pranimit  dhe e regjistrimit të refugjatëve, pastaj vazhdonin rrugën më tutje. Shumica e tyre vendoseshin nëpër familje private, në ndërkohë shteti i atëhershëm organizoj edhe hapjen e shtatë kampeve. Një ndër ato ka qenë Stenkoveci, kanë qenë Radusha, Çegrani, Strugë, Katllanovë dhe kështu me radhë”, tha Sait Saiti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut.

Në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare, në Hanin e Elezit, është ngritur një Qendër Përkujtimore, në të cilën qëndron edhe treni që  kishte bartur shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme