Blogu “Rove.me”: Ujëvara e Grunasit në Theth… ndoshta vendi më romantik në Shqipëri!

1 Nëntor, 2024 - 10:38 am

Majat e maleve, lumenjtë e kristaltë dhe ujëvarat e Shqipërisë janë ende të paeksploruara nga turistët, shkruan Anastasiia Abramets në një artikull të publikuar në blogun e udhëtimeve “Rove.me”.

Një shëtitje në Parqet Kombëtare të Shqipërisë ju mundëson të zbuloni florën dhe faunën, ujëvarat e mrekullueshme dhe lumenjtë malorë të rajonit.

Në veri, larg qytetërimit, shtrihet fshati i Thethit, “porta” e Parkut Kombëtar të Thethit.

Parku Kombëtar i Thethit është pjesë përbërëse e Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare.

I themeluar në vitin 1966, parku ndodhet në qendër të Alpeve Shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës.

Parku synon të mbrojë ekosistemet dhe biodiversitetin e ndryshëm dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) e ka renditur Parkun Kombëtar të Thethit si një park të Kategorisë II.

Rajoni është identifikuar gjithashtu si një zonë e rëndësishme e shpendëve dhe bimëve.

Në vitin 2017 Thethi u shpall një Qendër Historike e Mbrojtur.

Zona ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve – falë bukurisë së jashtëzakonshme të natyrës, duke përfshirë Alpet Shqiptare, Kanionin e Grunasit dhe xhevahirin e parkut – Ujëvarën e Grunasit.

Ndoshta… ky është vendi më romantik në Shqipëri!

Thjesht, pyesni vendasit për ujëvarën dhe ata do t’ju tregojnë rrugën.

Kjo ujëvarë është shpallur Monument Natyre dhe është nën mbrojtjen e shtetit.

Ajo ka një lartësi prej 30 metrash. E veçanta e saj është se i gjithë uji i saj vjen ekskluzivisht nga bora.

Për të parë ujëvarën nga një kënd tjetër, mund të shkoni në anën tjetër të ujit.

Koha më e mirë për të vizituar Parkun Kombëtar të Thethit është stina e butë midis pranverës dhe vjeshtës, përkatësisht nga marsi deri në nëntor./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme