Bogujevci i tregon shenjat në trup nga masakra e vitit 1999: Serbia akoma sulmon, mjaft është mjaft

9 Tetor, 2023 - 8:18 pm

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se janë të papranueshme veprimet e Serbisë që janë duke vazhduar akoma ndaj Kosovës, duke përmendur agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ajo, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deklaroi kështu pas deklaratës së përfaqësueses serbe, Biljanta Pantiq, e cila pretendoi se në Kosovë po ndodh spastrim etnik.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atë herë ishte udhëhequr nga njerëzit që tani janë duke e udhëhequr shtetin, dhe ishin pjesë e atij regjimi. Si 13-vjeçare isha lënë e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba”.

“Sot i kam dhe i mbajë akoma këto shenja në dorën time dhe në pjesë të tjera të trupit tim. Dhe të shoh 25 vjet pas, kur ne sulmohemi vazhdimisht verbalisht dhe në forma të tjera, së fundmi edhe me një sulm terrorist, në Kosovë është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur një kërkim falje, nuk ka pasur kurrë asgjë që është ndërmarrë për t’u vendosur drejtësia, jo vetëm se çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tani”, ka thënë Bogujevci./Klankosova.tv/KultPlus.com

Të ngjajshme