9 Mars, 2020 - 12:06 pm
Saranda Bogujevci, nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka thënë se Kosova është shembull për legjislacion, por se sipas saj, ai duhet të funksionalizohet.
Bogujevci ka shtuar se dalja publike e Vasfijes ka vënë në pah mospërkrahjen e institucioneve.
Ajo tutje ka propozuar që 14 prilli, data kur është dhunuar Vasfije Krasniqi-Goodman, të jetë datë që kujtohen viktimat e dhunës seksuale, raporton Koha.
“Sot në Kuvend po flasim për dhunimet që janë bërë nga forcat serbe. Është e vërtetë që jemi shembull për ligjin që e kemi në fuqi, por kemi ende punë për ta përkrahur komisionin që të kryej punën siç duhet. Dalja publike e Vasfijes përveç që ishte shumë e guximshme, ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Doli në pah mospërkrahja e institucioneve e shoqërisë. Çështja e drejtësisë është kyçe për të mbijetuarit. Njohja e vuajtjeve të tyre është drejtësia. Kam një kërkesë, që data 14 prill, data kur është përdhunuar Vasfija, të jetë datë që i kujtojmë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Propozimi ynë është që kjo datë të shtohet dhe të vihet në Kuvend për tu diskutuar”, ka thënë ajo. / KultPlus.com