10 Shkurt, 2023 - 11:05 am
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, zhvilloi një takim në qytetin e Elbasanit, ku është diskutuar rreth “Bonusit të Rijetësimit”.
Në takim ishte i pranishëm Damian Gjiknuri, drejtues politik i PS në qark, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, deputetë të zonës, por edhe dashamirës të kulturës e trashëgimisë.
Ministrja u takua me banorët e Lagjes Kala për të prezantuar nismën e qeverisë dhe u shpreh se, Elbasani të pret ngrohtë edhe në ditë të ftohta dimri.
“Përmes shqetësimeve të ngritura dhe pyetjeve të banorëve u kuptuan më mirë problematikat, çka na ndihmon të përmirësohemi në punën tone”, tha ministrja Margariti.
Ajo u shprehu e sigurt se, pas përvojës së një viti më parë, në këtë edicion do të ketë edhe më shumë aplikime, por edhe më shumë mbështetje.
Bashkia Elbasan bashkë me Ministrinë e Kulturës do t’i vijë në ndihmë banorëve të Kalasë që të aplikojnë dhe përfitojnë.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja tha se, qëllimi është që në kala të ngrihen ambiente shërbimi, me financim të përbashkët. Qeveria shqiptare do të bashkëfinancojë projektet e qytetarëve të Elbasanit, jo nëpërmjet kredive, por drejtpërdrejt përmes granteve.
Ndërsa Damian Gjiknuri tha në takim se, ruajtja e shtëpive në Lagjen Kala, sjell ruajtjen e identitetit të Elbasanit.
Thirrja e dytë për ata që duan të restaurojnë dhe rijetësojnë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike dhe lagje brenda kalave, mbyll aplikimet në 10 mars.
Buxheti për Bonusin e Rijetësimit është 50% më i madh se një vit më parë. Për mirëmbajtje dhe rijetësim mbështetja do të jetë deri në 1 milion lekë, ndërsa për rijetësim deri në 6 milionë lekë./ KultPlus.com