Borrell: Aq para sa ia dhamë Ukrainës ndihma deri tash, ia japim Putinit çdo ditë për gazin

6 Prill, 2022 - 2:45 pm

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se BE ka blerë energji elektrike nga Rusia në vlerë 35 miliardë euro që nga fillimi i luftës dhe i ka dhënë 1 miliardë euro për ta financuar mbrojtjen e Ukrainës.

Këto komente, Borrel i bëri në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, teksa i kërkoi Evropës të dërgojë më shumë armë në Ukrainë për të ndihmuar në përfundimin e luftës.

“Duhet të vazhdojmë të armatosim Ukrainën. BE-ja ka premtuar 1 miliard ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe kjo mund të duket shumë, por 1 miliard euro ne i paguajmë Putinit çdo ditë për energjinë”.

“Që nga fillimi i luftës i kemi dhënë 35 miliardë euro. Krahasojeni atë me 1 miliard euro që i kemi dhënë Ukrainës për armë”, ka thënë Borrell, shkruan TheGuardian, transmeton Klankosova.tv.

Borrell, komentet i bëri teksa Bashkimi Evropian është duke diskutuar rreth një pakoje të pestë të sanksioneve kundër Rusisë, që përfshijnë ndalimin e importeve të qymyrit në vlerë 4 miliardë euro.

Çështja e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë u intensifikua pas pamjeve që bota pa nga Bucha dhe qytetet të tjera të Ukrainës, ku civilët janë vrarë, torturuar, përdhunuar e abuzuar. / KultPlus.com

Të ngjajshme