16 Shkurt, 2025 - 10:20 am
Ditë më parë bota akademike sociologjike në botë humbi një nga figurat kryesore të mendimit sociologjik bashkëkohor, Michael Burawoy. Ai ishte ish-president i Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë (International Sociological Association – ISA), ish-president i Shoqatës Amerikane të Sociologjisë (American Sociological Association – ASA) dhe ish-redaktor i revistës prestigjioze që botohet në 17 gjuhë “Global Dialogue”.
Marrëdhënie të ngushta profesionale me të kishte edhe një sociolog nga Kosova, Labinot Kunushevci, i cili vdekjen e tij e përjetoi si një humbje të madhe edhe për mendimin sociologjik shqiptar.
Burawoy ishte profesor në Universitetin e Kalifornisë dhe vdekja e tij aksidentale pasi u goditë nga një veturë ishte një shok për të gjithë ata që e njihnin dinamikën dhe energjinë e tij. Ndonëse një figurë shumë eminente në botë, fatkeqësisht në Kosovë nuk njihej e admirohej sa duhej. Ishte shumë i panjohur në Kosovë, madje sipas Kunushevcit emri i tij nuk përmendej as gjatë kohës kur ai studioi sociologji në Universitetin e Prishtinës (2012-2017).
Por Burawoy kishte një autoritet të lartë në qarqet akademike botërore. Ishte një lider i vërtetë, një zë shumë kritik dhe i guximshëm, me shumë modesti dhe përulje, një udhërrëfyes dhe mentor, një studiues shumë i spikatur në sociologjinë publike globale, që i mbështeste sociologët e rinj anembanë botës. Sociologjia e tij nuk ishte vetëm teorike. Ai krijonte shtigje të reja dhe puna e tij la gjurmë të thella në shumë fenomene dhe tema që janë tabu, të mitizuara, të barrikaduara, të ideologjizuara dhe të instrumentalizuara. Ai i çliroi ato në dritën e perspektivave të reja sociale dhe humane.
Falë Burawoy, intervistat e sociologut nga Kosova, Labinot Kunushevci, u përkthyen dhe botuan në 17 gjuhë në revistën prestigjioze “Global Dialogue”.
“Në vitin 2017 Burawoy u tregua, përveç profesional, edhe miqësor me shqiptarët, duke u solidarizuar me të kaluarën e përvuajtur të tyre në Kosovë. Kur i kërkova një mundësi që në revistën “Global Dialogue” që ai drejtonte, të botonim diçka për të kaluarën koloniale të Kosovës; për Serbinë imperialiste, fashiste dhe kolonialiste; për pasojat politike, kulturore, shoqërore dhe humane të Jugosllavisë mbi shqiptarët, ai pranoi me shumë dëshirë duke më shkruar, ndër të tjerash: “The world knows so little of the plight of Albanians” – “Bota di shumë pak për vuajtjet e shqiptarëve”. Po mos të ishte Michael Burawoy, emri im, emri i Republikës së Kosovës dhe emri i Universitetit të Prishtinës, nuk do të përktheheshin në këto gjuhë”, shprehet Kunushevci.
Kujtojmë që gjuhët në të cilat janë botuar 5 intervistat e Kunushevcit, i vetmi nga Kosova intervistat shkencore të të cilit kanë këtë shtrirje globale, falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me Burawoy, janë: 1. Angleze 2. Frënge 3. Spanjolle 4. Kineze (tradicionale) 5. Kineze (e thjeshtuar) 6. Iraniane 7. Hindu 8. Portugeze 9. Arabe 10. Japoneze 11. Ruse 12. Polake 13. Turke 14. Rumane 15. Kazake 16. Indoneziane 17. Bengali.
Kunushevci njihet për faktin që arriti si i vetmi nga Kosova, në periudhën 2015-2017, t’i intervistojë disa nga sociologët më eminentë bashkëkohorë në botë si: Anthony Giddens, George Ritzer, Patricia Hill Collins, Michael D. Kennedy, Liah Greenfeld, Hayriye Erbaş, Jasminka Lažnjak, Raewyn Connell, Chua Beng Huat, John Holloway, Margaret Abraham dhe Thomas J. Burns. Dymbëdhjetë intervistat e tij me portat titane të sociologjisë i botoi në librin e tij të parë sociologjik dy-gjuhësh “Contemporary Sociological.
Conversations” – “Kuvendime Sociologjike Bashkëkohore”, botim i Logos-A, më 2017. Më vonë ai shkroi edhe dy libra tjerë sociologjikë “Shoqëri pa Kulturë” dhe “Pasionet e Idiotëve”.
Disa nga intervistat e tij patën jehonë globale pasi u botuan në 17 gjuhë në revistën “Global Dialogue”.
Intervistë me George Ritzer, University of Maryland, USA, “George Ritzer on McDonaldization and Prosumption”:
Intervistë me John Holloway, University of Puebla, Mexico, “Capitalism, the Uncertain Future of Humanity”:
Intervistë me Jasminka Lažnjak, University of Zagreb, Croatia, “Sociology for Cooperation Against Balkanization: An Interview with Jasminka Lažnjak”:
Intervistë me Patricia Hill Collins, University of Maryland, USA, “The Representation of African-American Women: An Interview with Patricia Hill Collins”:
Kunushevci kujton edhe momente tjera të korrespodencës së tij me të ndjerin Burawoy. Kur libri i tij i parë sociologjik me intervista iu dërgua përmes postës si dhuratë në adresën e Burawoy, përgjigjja e këtij të fundit në pyetjen e Labinotit nëse e kishte pranuar librin, ishte: “It arrived in all its beauty and splendor! Congratulations!” – “Arriti në gjithë bukurinë dhe ndriçimin e tij! Urime!”
Ndërsa kur Burawoy pati rastin ta lexojë librin e Kunushevcit në tërësi, më 25 maj 2017, i shkroi: “What a wonderful collection of interviews, what an extraordinary initiative by an MA student from Prishtina, what an interesting way to project the intersection of international and national through the interrogation of prominent sociologists. Congratulations!” – “Çfarë përmbledhje e mrekullueshme e intervistave, çfarë iniciative e jashtëzakonshme nga një student MA nga Prishtina, çfarë mënyre interesante të projektosh kryqëzimin e sociologjisë ndërkombëtare dhe nacionale përmes intervistimit të sociologëve eminentë. Urime!”
Por në mesin e shumë intervistave speciale është edhe një intervistë e Kunushevcit e realizuar me profesorin dhe mentorin e tij të sociologjisë, prof. dr. Ibrahim Berisha, kushtuar të kaluarës koloniale të Kosovës, botuar në “Global Dialogue”.
Intervistë me Ibrahim Berishën, Universiteti i Prishtinës, Republika e Kosovës, “The Legacy of Colonialism in Kosova”:
Përmes kësaj interviste, Labinot Kunushevci, në vitin 2017 fitoi çmimin “Shkrimi më i mirë për promovimin e Kosovës”, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ndërsa në vitin 2019 ishte panelist i konferencës shkencore “Mbahet punëtoria me temën: “Aspekti kolonial i të kaluarës së Kosovës””, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, e para dhe e fundit e këtij lloji e organizuar deri tani kushtuar kolonializmit.
Veçantia e kësaj interviste kolosale është botimi në gjuhët e atyre vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, madje mbajnë edhe qëndrime destruktive ose armiqësore ndaj saj. Por ky argument kolonial fatkeqësisht është harruar e injoruar nga diplomacia kosovare./KultPlus.com