13 Shtator, 2022 - 1:30 pm
Shpërthimi masiv i vullkanit Hunga Tonga–Hunga Ha’apai në janar, në Tonga, në jug të Oqeanit Paqësor, sipas një studimi të ri të botuar në “Nature”, ishte më i madhi që nga shpërthimi i malit Pinatubo, në Filipine, në vitin 1991, dhe shpërthimi më i madh i regjistruar ndonjëherë nga instrumentet.
Hulumtimi nga vullkanologët Michael Cassidy (Universiteti i Birmingemit) dhe Lara Maní (Universiteti i Kembrixhit) llogarit se ka një në gjashtë mundësi për një shpërthim të madh vullkanik gjatë këtij shekulli dhe ata paralajmërojnë se “bota nuk është e përgatitur” për të.
Ai mega-shpërthim mund të ndryshojë në mënyrë drastike klimën e botës dhe mund të çojë në kolaps qytetërimin. Në të kaluarën, shpërthimet e kësaj madhësie kanë shkaktuar ndryshime të menjëhershme klimatike, shembje të qytetërimeve dhe janë shoqëruar me rritjen e pandemive.
Për mënyrën se si do të ndikonte në jetën tonë të përditshme, “ndikimet do të ndihen nëpër transport, ushqim, ujë, tregti, energji, financa dhe komunikim në botën tonë të lidhur globalisht”.
Në vitin 2021, studiuesit shikuan bërthamat e akullit nga të dy polet dhe identifikuan 1 113 shenja shpërthimesh në akullin e Groenlandës dhe 737 në Antarktidë, të cilat ndodhën midis 60 000 dhe 9 000 vjet më parë. Ata gjetën 97 ngjarje që ka të ngjarë të kenë një ndikim klimatik të barabartë me një shpërthim me magnitudë 7 ose më të madhe. Ata arritën në përfundimin se ngjarjet me magnitudë 7 ndodhin rreth një herë në 625 vjet, dhe ngjarjet me magnitudë 8 (të quajtura edhe super shpërthime) rreth një herë në 14 300 vjet.
Sot, një shpërthim i një supervullkani “mund të shkaktojë 60% më shumë ftohje” në temperatura. Planeti është më i populluar se në vitin 1815 dhe shumë më i lidhur, kështu që një mega-shpërthim vullkanik do të vriste shumë më tepër njerëz dhe do të paralizonte rrugët tregtare. Për këtë arsye, kriza ekonomike do të ishte e sigurt./A2CNN / KultPlus.com