Botërori 2026, Shqipëria humb ndeshjen e parë ndaj Anglisë në “Wembley”

21 Mars, 2025 - 11:48 pm

Kombëtarja shqiptare luajti ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Anglisë, e vlefshme për Kupën e Botës 2026.

Në stadiumin “Wembley” triumfuan të zotët e shtëpisë me rezultatin 2-0. Pavarësisht disfatës, Shqipëria zhvilloi një ndeshje dinjitoze përballë një prej skuadrave më të mira në botë.

Trajneri Silvinjo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Thomas Strakosha (GK), Naser Aliji, Berat Gjimshiti (C), Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Jasir Asani dhe Myrto Uzuni.

Minutat e para nisën me Anglinë në sulm, megjithatë Shqipëria ishte vendosur mirë në prapavijë, duke shmangur rrezikun.

Anglia mori avantazhin në minutën e 20-të me Lewis-Skelly.

Rasti më i mirë i Shqipërisë ishte në minutën e 27-të, kur topi i devijuar nga Burn goditi traversën. Pjesa e parë u mbyll 1-0.

Fraksioni i dytë nisi pa ndryshime për kuqezinjtë, megjithatë në minutën e 63-të trajneri Silvinjo aktivizoi Brojën.

Sulmuesi kuqezi ishte menjëherë protagonist, duke u shfaqur rrezikshëm në portën kundërshtare.

Momenti më i mirë ishte në të 69-ën, kur Broja pasoi mirë për Asanin, i cili nga brenda zonës nuk e goditi topin.

Anglia shënoi golin e dytë në minutën e 77-të me Harry Kane.

Trajneri Silvinjo kreu dy ndryshime të tjera, duke aktivizuar Adrion Pajazitin dhe Arbër Hoxhën. Ndërsa në minutën e 82-të doli nga loja për arsye dëmtimi Thomas Strakosha dhe në portë u fut Elhan Kastrati.

Deri në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe sfida u mbyll 2-0 për Anglinë.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë kualifikuese më 24 mars ndaj Andorrës, në stadiumin “Arena Kombëtare”, në orën 20:45.

Formacionet zyrtare të ndeshjes:

Anglia: Pikford, Uokër, Konsa, Burn, Ljuis-Skelli, Xhons, Bellingam, Rajs, Foden, Kejn, Rashford. Trajner: Tomas Tuhel

Shqipëria: Strakosha, Aliji, Ajeti, Gjimshiti, Balliu, Ramadani, Asllani, N.Bajrami, Laçi, Asani, Uzuni. Trajner: Silvinjo/ KultPlus.com

Të ngjajshme