Brazili po ndërton statujë të re të Krishtit, më të madhe se ajo në Rio de Janeiro

13 Prill, 2021 - 9:00 am

Një statujë e re e Jezu Krishtit është duke u ndërtuar në pjesën jugore të Brazilit. Ajo do të jetë edhe më e madhe sesa statuja e famshme gjigante në Rio de Janeiro.

Statuja e quajtur “Krishti Mbrojtës” po ndërtohet Encantado, qytezë e vogël në rajonin më jugor të Brazilit, Rio Grande do Sul, nga një organizatë lokale e quajtur Shoqata “Miqtë e Krishtit”.

E bërë nga çeliku dhe betoni, statuja do të jetë 43 metra e gjatë, gati pesë metra më e gjatë sesa statuja në Rio de Janeiro, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Organizata braziliane tha se statuja e tretë më e madhe e Jezu Krishtit në tërë botën. Një statujë tjetër më e madhe se kjo është duke u ndërtuar në Meksikë. Ajo do të jetë e lartë rreth 76 metra. Një monument tjetër i madh për Krishtin është duke u ndërtuar në Poloni.

Statuja e re në Brazil është vepër e skulptorit Genesio Gomes Moura dhe e djalit të tij, Markus Moura. Koka dhe duart statujës iu vendosën më 6 prill, ndërsa ndërtimi i plotë i saj, që filloi në korrik të vitit 2019, pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Ndërtimi i statujës do të kushtojë gjithsej 353 mijë dollarë, ndërsa organizata që e nisi projektin po kërkon donacione për të pasur mundësi që ta përfundojë atë.

Brenda statujës do të ndërtohet një ashensor, i cili do t’i dërgojë turistët deri te lartësia ku ndodhet zemra e njeriut në statujë.

Qëllimi i ndërtimit të statujës gjigante është shtimi i turizmit në zonën që ndodhet afër kufijve me Uruguajin dhe Argjentinën. / KultPlus.com

Të ngjajshme