Bregdeti i Darzezës e Pish Poros në Fier, atraksion për të apasionuarit e sporteve të ujit

11 Qershor, 2023 - 11:00 pm

Bregdeti i Darzezës e Pish Poros në Fier, me valët e forta të detit, është kthyer në atraksion për të apasionuarit e sporteve të ujit.

Të apasionuarit e kitesurfing, windsurf, wakeboard, si dhe sporteve të tjera ujore i janë drejtuar këto ditë bregdetit të Fierit për të shijuar dallgët e forta.

Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Fierit, Taulant Balla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Darzezës dhe Pish Poros në Fier, me vijën e gjerë bregdetare që ofron hapësira publike dhe frekuentohet çdo ditë nga pushues të shumtë.

“Tashmë ky bregdet i mrekullueshëm frekuentohet nga turistët e huaj dhe vendas që ushtrojnë sportet ujore”, u shpreh Balla.

Me rreth 9.5 km vijë bregdetare, Pish Poro në Fier ofron plazhe ranore të pashfrytëzuara me detin e pastër dhe pyllin me pisha të buta.

Vija bregdetare ranore e Pish Poros në Novoselë, mbetet një destinacion turistik ende për t’u zbuluar.

E shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pish Poro ofron një vijë bregdetare shumë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit familjar.

Pishë Poro është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë IV ndërsa njihet si një zonë e pyjeve të pishës mesdhetare.

Në ujërat e pastra të deltës së Vjosës takohet lloji globalisht i rrezikuar lundërza, si dhe peshqit migratore (troftat). Pish Poro mbetet po ashtu një zonë e rëndësishme për shpendët./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme