14 Mars, 2020 - 1:58 pm
Testimet e para në njerëz të vaksinës së koronavirusit pritet të bëhen brenda disa ditëve, kanë bërë të ditur shkencëtarët.
Vullnetarëve në SHBA do t’u jepet gjenerata e re e “hiles gjenetike” pasi u anashkalua testimi standard te kafshët, si pjesë e një procesi të përshpejtuar.
Nëse ilaçi është i sigurt në këta kandidatë, atëherë ajo do të provohet në grupe më të mëdha të pacientëve të infektuar me Covid-19, për të testuar efektivitetin e saj, raporton “The Telegraph”.
Liderët e industrisë farmaceutike shpresojnë se mund të jenë miliona doza të gatshme brenda 12-18 muajve të ardhshme, por pranojnë se një gjë e tillë “është aspiruese”.
Të premten, Sir Patrick Vallance, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë britanike, paralajmëroi se koronavirusi mund të jetë një “infeksion vjetor sezonal”.
Ndërkohë ekspertët kanë thënë se imuniteti natyral mund të mos jetë i përhershëm, që do të thotë se edhe ata që kanë përjetuar Covid-19 do të përfitonin nga një vaksinë.
Vaksina, e zhvilluar nga Moderna, një kompani me bazë në Massachusetts, është një shmangie nga modeli tradicional, me anë të të cilit injektohet një patogjen ose proteinë e dobësuar nga sipërfaqja e një patogjeni, në mënyrë që trupi të mësohet të luftojë kundër infeksioneve të ardhshme, transmeton Koha.net.
Ilaçi bazohet në një molekulë të quajtur RNA, ose mRNA, e programuar që të provokojë qelizat njerëzore për të prodhuar proteina të ngjashme me koronavirusin, të cilat sistemi imunitar do të mund të mësonte më pas si t’i bllokonte.
Qasja sintetike ka avantazhin e shpejtësisë, megjithatë është shumë e pazakontë që testimet të fillojnë në njerëz, pa e bërë paraprakisht një testim te kafshët, zakonisht në minj.
Dr Melanie Saville, nga Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI), e cila po financon testimin e vaksinës nga Moderna, ka thënë se kjo është një mënyrë për të blerë kohë.
“Qasja në të vërtetë është që të blejmë kohë në kontekstin e shtrirjes që i jep sistemit të kujdesit shëndetësor – gjithashtu blen kohë që vaksinat të zhvillohen. Nuk e dimë se si pandemia do të evoluojë, qoftë, për shembull në valë të ndryshme. Që mund të jetë rasti këtu”, u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se procesi i zhvillimit është “shumë i përshpejtuar”.
“Ende ka shumë gjëra për virusin të cilat nuk i dimë”, ka thënë ajo.
CEPI është duke financuar pesë programe të tjera – njëra prej tyre që udhëhiqet nga “Imperial College London”, të cilët shpresojnë që të kenë pacientë vullnetarë për t’i testuar deri në fund të vitit.
Këtij hulumtimi të paktën i duhen edhe 750 milionë dollarë për gjashtë muajt e ardhshëm. /koha/ KultPlus.com