19 Korrik, 2019 - 10:16 pm
Pesë ditë radhazi, pesëmbëdhjetë nxënës kanë qenë pjesë e aktiviteteve për zhvillimin e mendimit kritik.
Ushtrime të ndryshme kanë nxitur avancimin e të menduarit të tyre.
Atyre u janë shërbyer shembuj se si të argumentohet me fakte dhe si të mbrohen nga informacionet të cilave u ekspozohen.
Pesëmbëdhjetë të rinj nga Kaçaniku janë bërë pjesë e kampit veror të organizuar nga “BoneVet”, si pjesë e programit “BRICK”, të mbështetur nga CDF-ja.
Aktivitetet kanë përfshirë edhe lojëra të cilat kanë bërë që nxënësit të njihen më shumë mes vete.
Ata tashmë kanë krijuar një rreth të ri shoqëror, pasi që programi BRICK si i tillë synon socializmin e nxënësve nga shkolla të ndryshme.
“Sistemi arsimor dhe gjendja e tij në Kosovë”, ka qenë tema mbi të cilën këta të rinj kanë mbajtur një diskutim, ndërsa janë ndarë në dy anë, duke mbrojtur qëndrime të kundërta.
Pika kryesore ku është mbështetur debati, ka qenë përdorimi i fakteve.
Nxënësit thonë se kanë përfituar shumë gjatë këtyre pesë ditëve, sa i përket të menduarit kritik dhe mënyrës së diskutimit.
Ariana Çaka nga “BoneVet” në Kaçanik thotë se e kanë mirëpritur këtë bashkëpunim që të rinjtë e kësaj komune të përfitojnë nga trajnime të tilla.
Kampi veror do të vazhdojë edhe për dy javë, ndërsa aktivitetet e javës në vazhdim do të jetë të orientuara rreth mendimit kreativ.
Nxënësit, pasi të kenë përfituar nga këto dy shtylla të të menduarit, do të vendosin në praktikë njohuritë e tyre në dizajnimin dhe zbatimin e një projekti.
Të rinjtë e Kaçanikut, pas përfundimit të kampit njëjavor për mendimin kritik, janë shpërblyer me certifikata.
Programi “BRICK” është i fokusuar te të rinjtë dhe ka për synim zhvillimin e tyre në fusha të ndryshme. /Koha ditore/ KultPlus.com