12 Gusht, 2020 - 12:49 pm
Ekonomia e Britanisë së Madhe e ka pësuar rënien më të madhe mes prillit dhe qershorit pasi masat kufizuese të pandemisë e futën vendin në recesion për herë të parë që nga viti 2009.
Krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia në tremujorin e dytë u tkurr për 20.4 për qind, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Shpenzimet e amvisërisë ranë me të madhe pas urdhrit për mbylljen e dyqaneve, ndërsa rënie shënuan edhe prodhimi në fabrika dhe sektori i ndërtimtarisë.
Kancelari Rishi Sunak i tha televizionit BBC se qeveria britanike është duke u përballur me diçka që është e pashembullt dhe se kjo është një kohë shumë e vështirë dhe e paqartë.
Sidoqoftë, Zyra për Statistika kombëtare njoftoi se ekonomia filloi të rimëkëmbet në qershor pasi qeveria filloi t’i lehtësojë masat e izolimit.
Në baza mujore, ekonomia britanike nga maji në qershor u rrit për 8.7 për qind, ndërsa nga prilli në maj ishte rritur vetëm për 1.8 për qind.
Mbyllja e fabrikave ndikoi që prodhimi i veturave të binte në nivelin më të ulët që nga viti 1954, ndërsa ekonomia pësoi më së shumti në prill, kur ishte kulmi i pandemisë. / KultPlus.com