Brooklyni stoliset me flamuj kuq e zi me rastin e Ditës së Flamurit

24 Nëntor, 2020 - 1:18 pm

Një nga lagjet më të mëdha të New Yorkut, Brooklyn, e cila është edhe një nga pesë ndarjet kryesore të New York-ut, i është bashkuar me rastin e festës kombëtare të shqiptarëve, festës së Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorit, për herë të pestë, në stolisjen e shtyllave të rrugëve me flamuj kuqezi.

Edhe këtë vit në Brooklyn, flamujt kuq e zi me shqiponjën e zezë dykrenore janë vendosur me iniciativën dhe kontributin e dy vuthjanëve në Nju-Jork, Shkumbin Hasangjekaj dhe Shkumbin Balidemaj, në një nga rrugët kryesore të qytetit Brooklyn, dy anët e rrugës në bulevardin Bay Parkway, ku jetojnë shumë familje shqiptare, nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare.

Zbukurimet për nder të festës së flamurit, janë bërë pothuajse traditë tashmë. Të gjitha shtëpitë, klubet, e lokalet e shqiptarëve, makinat e tyre, po edhe në disa prej rrugëve e shesheve ku shqiptarët banojnë me shumicë, Bronx, Staten Island, Queens, Brooklyn, e të tjerë, marrin pamjen kuq e zi në nëntor.

Përkrah këtyre flamujve, në shenjë falënderimi ndaj SHBA-së për kontributin e saj për Kosovën e çështjen shqiptare, valëviten edhe flamujt amerikanë, në çdo shtyllë.

“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur për të parë këta flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një falënderim për atë çfarë kanë bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Këshilltari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.

Sipas Gjonaj, jozyrtarisht në zonën e Tri-Shtetëshit, mendohet se janë mbi 250.000 shqiptarë dhe afërsisht 100,000 jetojnë në lagjet Bronx, Kuins, Bruklin dhe Staten Island në Nju-Jork.

“Është e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre”, ka deklaruar Gjonaj. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme