11 Maj, 2023 - 11:19 am
Muzeu Historik Kombëtar kujton sot luftëtaren arvanitase Bubulina.
Më 11 Maj 1771, lindi në ishullin e Hidrës kapedania trime arvanitese Laskalina (emri i vërtetë Dhaskalina) Bubulina.
Ajo ishte 50 vjeçe kur shpërtheu revolucioni grek, dhe u bë pjesë e luftës për lirinë e atdheut të të parëve të saj. Nuk numërohen betejat që ajo i drejtoi me trimëri. Në njërën prej tyre ra heroikisht edhe djali i saj Jani.
Me emrin dhe trimërinë e saj ngriti më këmbë 200 mijë arbëreshë kundër pushtuesve osmanë, u bë shembull heroizmi, u kthye në një legjendë të pavdekshme, në një figurë hyjnore që e lartëson historinë e popullit tonë.
Dhaskalina Pinoti Bubulina ishte komandante e anijes luftarake “Agamemnom” me të cilën i dha ndihmë të madhe Ali Pashë Tepelenës, kur Janinën e rrethuan turqit. Ajo iu kushtua çështjes së çlirimit të kombit grek duke dhënë përveç ndihmës së saj heroike, edhe pasurinë e madhe trashëguar nga bashkëshorti.
Është e vetmja grua në histori që iu dha titulli i madh “Gruaja e Parë Admirale” nga perandori rus.
Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri.
Edhe pse kishin kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur. Historianët dhe biografët e saj thonë se Bubulina u jepte urdhra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatarët arbëreshë të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit.
Bubulina do pësonte vdekjen nga dora e një arvanitasi (familja Koçi), si pasojë e një armiqësie familjare.
Në ishullin Peca gjendet “Muzeu Bubulina” vendosur në ndërtesën 300-vjeçare të burrit të dytë, ku ende jetojnë pasardhësit e saj. Statuja e saj qëndron në port në Pecës. Rrugë të ndryshme në të gjithë Greqinë dhe Qipron janë emëruar për nder të saj. / KultPlus.com