5 Dhjetor, 2022 - 1:58 pm
E ndodhur rreth 8 km larg qytetit me Kalanë rezidenciale të Ali Pashës, bujtina“Glealb” në Dukaj të Tepelenës, ka vetëm katër javë që ka përfunduar së ndërtuari dhe ka nisur t’u shërbejë turistëve.
Është një nga disa bujtinat e jugut të Shqipërisë që kanë lindur si lulëzim i sipërmarrjes private të agroturizmit. Por, ndryshe nga “Villa Goliku” dhe “Mira”në Peshtan, “Sofia”në Gllavë të Tepelenës, “Ferma Albanik”, në Ballaban të Këlcyrës, etj.,.“Glealb” në Dukaj ka një parahistori me ndërtimin fillimisht të një baxhoje për përpunimin e qumështit të kësaj zone me emër në blegtori.
Revaj, trojet e të parëve në Dukaj
Çfarë graviteti ka trualli i të parëve në memorien dhe shpirtin plot ide të pasardhësve, vëllezërve Hysa? Dhe si mori udhë ideja e parë për ngritjen e një baxhoje në një truall e kullotë, ku gjyshi Tafil Hysa mbarështonte mbi 1 000 krerë të imta?
Këtë, e mëson kur bisedon me Shpëtimin. Ai është njëri prej vëllezërve Hysa që pas një emigrimi të shkurtër, përveshi mëngët për ndërtimin e një baxhoje që e emërtuan me toponimin e tokës së të parëve të tyre, për mbi luginën e Vjosës, lumit të fundit të egër në Europë dhe fushën e Bambullit
Baxho Revaj, Dukaj.
Këtu ku ata ndërtuan më parë Baxhon dhe tani edhe bujtinën, gjyshi Tafil Hysa, dikur kishte stanin ku mbarështonte mbi 1000 krerë dhi dhe i strehonte në një guvë të madhe në shkëmb që quhet edhe sot Shpellat e Kopaçes.
Baxhoja pranë bujtinës është moderne. Përveç linjës së grumbullim-përpunimit, vëllezërit kanë ndërtuar edhe një odë për pritjen e miqve dhe disa mjedise ku akomodoheshin vetë po edhe miqtë që frekuentonin këtë njësi përpunimi të qumështit pranë fshatit Dukaj.
Por ata tani kanë plane të tjera për zgjerimin dhe modernizimin e krejt linjës së grumbullimit, përpunimit magazinimit dhe ftohjes së prodhimit, etj,.
“GLE ALB”, bujtinë klas
Investimi serioz është mbështetur nga AZHBR dhe programi IPARD i BE-së. Familja Hysa e përmend këtë fakt me krenari por edhe me një përgjegjësi të veçantë për ecurinë e mëtejshme të aktivitetit ekoturistik.
Ndër grupet e para të turistëve bën pjesë edhe ai i kryetarit të bashkisë së Pragës i cili u ndje mik i vlerësuar në Tepelenë dhe bashkinë e qytetit dhe kryemik në bujtinën“Glealb” në Dukaj.
“Herën tjetër do të vij famijarisht” u ka thënë zyrtari çek të zotërve të bujtinës. Por këtu vijnë turistë edhe nga Tirana, Saranda, Gjirokastra, Fieri, Kosova, etj,.
E projektur nga një dorë dhe mendje e një arkitekti të talentuar (është një djalë i ri, të thonë); bujtina “Glealb” në Dukaj, ka 19 dhoma dhe suita, ka sallonin e madh të pritjes, recepsionin ku spikat harmonizimi i gurit të gdhendur dhe drurit si dhe një sallë ndënjeje edhe ushqimi në kryet të së cilës bien në sy oxhaku që tani qëndron 24 orë i ndezur, duke shpërndarë, ngrohtësi dhe një ndjesi intime.
Në një kënd të kësaj salle të madhe, disa çifte të reja ardhur enkas nga Tepelena, kremtojnë ditëlindjen e një 4-vjeçari kaçurrel me sytë blu si të Vjosës së kthjellët. Djaloshi është ngritur për mbi karrige dhe fluturon nga gëzimi. Nis kënga e mirënjohur e ditëlindjes dhe ne e ndërpresim për pak çaste bisedën dhe nisim instiktivisht të mbajmë ritmin muzikor duke duartrokitur tok me të rinjtë e gëzuar në tavolinën e festës familjare.
“Nuk ka përfunduar e gjithë puna”, tregon Hysa, sipas të cilit vetëm 70 për qind e saj ka përfunduar.
Tek 30 përqindëshi hyn sistemimi dhe zgjerimi i rrugës hyrëse për autoveturat dhe autobuzët, me gjelbërimin dekorativ.
Menaxhimi një sfidë dhe resurset përreth
Që menaxhimi i kësaj bujtine komplekse është një sfidë, këtë e kanë pasur të qartë qysh në hapin e parë vëllëzërit Hysa të “Glealb”në Dukaj.
Për menaxhimin profesional bashkëkohor, familja Hysa është në negociata me mastershefa nga Tirana, për një bashkëpunim të qëndrueshëm.
Me këtë hap të rëndësishëm këtu, është siguruar kualiteti i shërbimit për kamarierët dhe guzhinierët, “thembra e Akilit” për sipërmarrje të tilla komplekse.
Ushqimet e servirura në bujtinë janë të oborrit të saj dhe periferisë rurale. Të gjitha bio dhe me shije të veçantë: nga qumështi i freskët i lopës, te mjalti i Dukajt me një aromë të veçantë të florës medicinale, vezët e pulave të fshatit, llojet e djathit prodhuar prej “Baxho Revaj, Dukaj”, pa harruar llojet e reçelnave që prodhohen të gjitha me frutat e Dukajt, këtu në bujtinë.
Gjatë qëndrimit në bujtinë ndjeheni të rrethuar nga gjelbërimi gjithëvjetor për shkak të makjeve mesdhetare dhe kujdesit të vendasve për ta ruajtur me fanatizëm gjelbërimin. Prej këtu pasionanti i natyrës, mund të zbresë në luginën e lumit Vjosa, pamjet e së cilës të mrekullojnë nga ballkonet e “Glealb”.
Por , turistët mund të vizitojnë edhe Kalanë e Qytezës, një vendbanim antik i fortifikuar, në veriperëndim të fshatit Dukaj.
Sipas të dhënave Kalanë e Qytezës e ka identifikuar fillimisht arkeologu Hasan Ceka gjatë ekspeditave të para përnjohëse të vitit 1952.
Ndodhet rreth 300 m lartësi, në një kodër të vogël, që del në drejtim të lindjes nga shpati i malit mbi luginën e Vjosës dhe njëkohësisht mbi Horën. Vendbanimi datohet në shekullin III-II para Krishtit. Siç thonë specialistët, kemi të bëjmë me një vendbanim që i ka paraprirë Horës, ose ka kryer funksionet e mbrojtjes së saj, të cilën e ka humbur me kalimin e kohës. Është shpallur monument kulture në vitin 1963.
Vizitori këtu, sipas llojit të interesit, për rreth 20 minuta ecje mund të zbresë të freskohet në verë buzë lumit Vjosa në rrjedhën e mesme, po, mund të ushtrojë në çdo stinë të vitit edhe peshkimin sportiv në këtë lumë dhe të kthehet në ballkonin natyror të bujtinës “Glealb” në Dukaj nga ku syri të rrok një hapësirë të pamatë peizazhesh malore e lumore.
Në këtë kilometër të “stacionit” të Bujtinës, të zotët e bujtinës kanë kuptuar mirë leverdinë dhe filozofinë e programit të qeverisë për bujqësinë që ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave.
Dhe bujtina “Glealb” në Dukaj (Tepelenë), është realisht një “pikëmjalti” e agroturizmit në jug të Shqipërisë me atraksionet e saj me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët që shumë shpejt pritet të kenë një frekuencë më të lartë akomodimi në të katër stinët e vitit. /atsh / KultPlus.com