7 Mars, 2025 - 8:00 pm
Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten prioritet i qeverisë, e cila ka ndërmarrë politika nxitëse për mbështetjen e këtyre investimeve.
Një prej tyre është edhe “Paketa e maleve”, e cila siguron mbështetje për investimet në këto zona, duke synuar inkurajimin e banorëve vendas për të investuar në pronat e tyre.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale modelin e suksesshëm të një agroturizmi në malet e Tropojës, e ndërtuar nga dy vëllezër të rikthyer nga emigrimi.
Kreshnik Nikoçi së bashku me vëllanë e tij Ermalin vendosën të linin emigrimin dhe të ktheheshin në fshatin e lindjes, në Velisht të Tropojës, ku investuan në kodër një bujtinë që është kthyer në vatrën mikpritëse të qindra turistëve nga e gjithë bota.
Kreshniku tregon se pas 5 vitesh në emigrim, bashkë me të vëllanë u kthye në vendlindje ku hapi edhe bujtinën.
“Me rritjen e numrit të turistëve po fitojmë çdo vit më shumë sesa jashtë vendit”, tha ai.
Kreshniku i bëri thirrje çdo të riu të rikthehet në vendin e tij, aty ku ka zemrën dhe më shumë mundësi.
“Shqipëria ofron mundësi të pafundme për atë që ka vullnet dhe dëshirë për punë”, tha ai.
“Paketa e maleve” krahas zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë rurale, do të ketë ndikim në promovimin e produkteve “Made in Albania”, si dhe do të sjellë zgjerim të hartës turistike.
Përmes kësaj nisme parashikohen lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin, sikurse edhe politika fiskale stimuluese./ KultPlus.com