20 Qershor, 2021 - 10:31 am
Alpet shqiptare me bukuritë e tyre natyrore tërheqin gjithnjë edhe më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë momentet e qetësisë, ujin dhe ajrin e pastër që i karakterizon ato.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga Alpet shqiptare, duke ftuar turistët vendas e të huaj që ti vizitojnë ato.
“Mirëmëngjes me ajrin e alpeve shqiptare”, shprehet Kryeministri Rama.
Një nga territoret më atraktive dhe më magjepse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, janë Alpet Shqiptare.
Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë madje edhe në botë.
Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat e kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.
Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit, etj shërbejnë si pika triangulacioni, duke ofruar një panoramë të ndryshme ,e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre.
Monumentet e shumta natyrore si kanioni i Shoshaj, i Valbonës, i Cemit, shpella e Dragobisë, e majës së Arapit, shpella e Rrathëve, shpella e Akullit, shpella e Haxhisë, shpella e Njerzëve të Lagur, burimi i Shoshaj, Valbonës, Okolit, Shtrazës, Kirit, Koprishtit, Vuklit etj ujëvara e Thethit, Grunasit, etj si dhe biomunumentet e shumta si ahishta e Gurra e Hasan Gashit, rrobulli në liqenin Ponarëve, bredhishta e Rragamit, pisha Flamur e qafës së Pejës, Habitati i Salamandrës, rrapi i Toplanës janë një tregues shumë domethënës për pasuritë e mëdha natyrore të kësaj zone në funksion të turizmit.
Kësaj i shtohet ekzistenca e zonave të mbrojtura si Parku kombëtar i Thethit, Parku kombëtar i Valbonës, të cilat janë një garanci për jetëgjatësinë e këtyre bukurive natyrore jo vetëm në të tashmen por edhe në të ardhmen.
Një potencial tjetër i çmuar i Alpeve shqiptare është pasuria kulturore, mikpritja dhe bujaria e madhe banorëve të zonës. Disa nga zonat më të njohura turistike të Alpeve janë Thethi, Razma, Valbona, Vermoshi,etj. Këtu duhet shtuar edhe lugina e Drinit me bukuri epike, ku një udhëtim me traget nga Fierza për në Koman do të linte përshtypje të paharrueshme edhe për vizitorët më indiferent. /atsh/ KultPlus.com