24 Dhjetor, 2023 - 9:05 am
Rritja e numrit të turistëve nga viti në vit ka krijuar horizonte të reja punësimi për të rinjtë dhe jo vetëm. Profesioni i guidës (udhërrëfyesit), apo agjentit turistik është nga më të kërkuarit nga agjencitë turistike në vend.
Për të plotësuar e ndihmuar në plotësimin e nevojave të tregut me guida turistike, por edhe për të rritur cilësinë e shërbimit të guidave në vendin tonë, një prej qendra multikulturore në kryeqytet në bashkëpunim dhe me një agjenci turistike në vendin tonë, kanë ndërmarrë një nisëm për të trajnuar guida apo aspirantë për guida, duke i përgatitur për tregun e punës.
Elkierd Deliu, drejtues i një agjencie turistike në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se të rinjtë dhe jo vetëm duhet të shohin profesionin e udhërrëfyesit, si një rrugë drejt punësimit dhe madje me të ardhme, pasi turizmi po shndërrohet në një industri të mirëfilltë.
“Bashkë me një kolegun tim ndërmorëm një hap më tej për realizimin e një start up, duke ngritur një agjenci turistike, që merret kryesisht me tregun e huaj dhe në veçanti me atë francez. Dhe duke qenë se vijmë nga fusha e guidave, fusha e turizmit, na lindi ideja, duke parë dhe mungesën e guidave në treg, por edhe trajnimeve në vazhdimësi, jo ato për çështjet e licencimit. Atëherë ne ndërmorëm një nisëm për të zhvilluar disa seanca trajnimi falas për të gjithë. Të interesuarit mund të marrin pjesë lirisht”, tha Deliu.
“Temat që kemi zgjedhur janë shumë të rëndësishme për punën e një guide. Trajnimi është edhe për guidat që punojnë aktualisht, por fokusi është për personat që nuk punojnë guida, duke i dhënë mundësinë për të nisur këtë rrugëtim. Ne në auditor kemi dhe studentë që janë nga Fakulteti i Historisë, apo në fusha të tjera për të zgjeruar njohuritë e tyre dhe për të ndërmarrë këtë udhëtim, duke punuar si guidë, si një sektorë ku tregu ka mungesë dhe kjo kthehet në vetvete në një urë, që pas studimeve të tyre ta gjejnë veten në fushën e guidave”, tha ai.
Sipas tij, lektorët e përzgjedhur për këto trajnime janë nga më të mirët e të gjitha fushave që lidhen me historinë, artin, kulturën dhe turizmin në vend. “Sot kemi në fokus artin bizantin, javën e kaluar patëm antikitetin, ndërsa në vijim duam të fokusojmë diskutimin edhe tek turizmi i qëndrueshëm, si e ardhmja e turizmit”, tha më tej Deliu.
“Rritja e numrit të turistëve është shtysa kryesore që na bëri të marrim këtë vendim dhe dëshira për të mundësuar një rritje të cilësisë për këtë shërbim. Rritja e numrit të turistëve ka vënë në vështirësi një pjesë të tur operatorëve, të cilët shpesh edhe gjenden pa guida, duke u kanalizuar te persona që thjesht dinë gjuhë të huaj, pro nuk janë guida dhe në këtë pikë po mundohemi që përmes kësaj nisme t’i japim mundësi të rinjve dhe jo vetëm të ndërmarrin këtë nisëm në vazhdimësi për të krijuar formuar guida, për të qenë gati edhe për një fluks më të madh turistësh, që Shqipëria të jetë nga ato destinacione ku çmimi dhe cilësia e shërbimit turistik të jenë paralel me njëra tjetrën”, tha Deliu.
Ai tha se licencimi është një procedurë e mirëpërcaktuar nga shteti, ndërsa nënvizoi se një kurrikul serioze është ajo që është ndërmarrë nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja.
“Unë i ftoj me këtë rast të gjithë të rinjtë të rejat, por jo vetëm këtë grup njerëzish, por ata që kanë pasion gjuhën e huaj, të zgjedhin profesionin e guidës. Gama e ofertës po zgjerohet. Është një zinxhir i madh që përfshin shumë aktor në fushën e turizmit. Të gjithë këta aktorë janë ndërgjegjësuar për atë që duhet të bëhet në kuptimin që kur turistët të vijnë të flasin mirë për atë që ka gjetur në vendin tonë dhe secili të influencojë dhe rrethin e tij. Ka turistë që kthehen për të parë zona që nuk i ka parë në udhëtimin e parë, ose që kthehen vetë në një guidë për një rast të dytë. Dhe kjo është një sukses goxha i madh”, tha ai.
Ëngjëllushe Haxhi tha për ATSH se kjo është një nga shumë nismat që ka ndërmarrë kjo qendër, e cila është ngritur dhe funksionon në bazë vullnetare.
“Duam të ndihmojmë sektorin e turizmit, për të patur profesionistë në këtë fushë”, tha Haxhi.
Një prej guidave që po trajnohej Gjergj Nikaj, tha se ishte kthyer nga jashtë vendit për të punuar si guidë, pasi turizmi ka potenciale për t’u rritur gjithnjë e më shumë.
“Kam dy vite që punoj si guidë. Kam jetuar në Kinë, Australi, por u ktheva në vendin tim pasi doja të kontribuoja në vendin tim për ta prezantuar në mënyrë sa më dinjitoze. Është një fushë që ka të ardhme, prodhon. Është dhe pasion, për të shpjeguar historinë e vendit tonë të huajve, që ata të njihen me një pamje tjetër të vendit tonë. I kam të ndarë, italianë, amerikanë, izraelitë, që duan kulturën, holandezë e gjermanë, që janë tek birra dhe vera”, tha Nikaj/atsh/KultPlus.com