2 Qershor, 2023 - 12:35 pm
Nuk janë të pakta rastet ku mediat ndërkombëtare i kushtojnë artikuj të veçantë Shqiprisë dhe fenomeneve të saj që për botën janë të panjohura.
E kjo ndodhi po shtohet më shumë kohëve të fundit, ku për fat të mirë herë pas here janë promovuar vlerave turistike të vendit tone. Mediat më prestigjioze, nga CNN, The Guardian, Neë York Post, Daily Mail, etj. kanë shkruar mbi bukuritë natyrore të vendit tone duke nxitur njerëzit ta vizitojnë.
Mirëpo, “Financial Times” së fundmi ka ironizuar normat e shoqërisë shqiptare me artikullin me titull: Ndërsa burrat e papunë ikin jashtë vendit, gratë shqiptare përqafojnë liri të reja.
I shkruar nga Camilla Bell-Davies, që ka vizituar vendin tonë, konkretisht Bajram Currin, për të parë nga afër se çfarë ndodh. Artikulli vendos theksin te pagat e ulëta dhe kostot më të larta të jetesës në Ballkan, dhe gratë e nënat e braktisura që kujdesen për veten e tyre, me burrat që emigrojnë gjithnjë e më shumë.
“Bajram Curri, pozicionuar në skajin verior, malor të Shqipërisë ka përjetuar një eksod burrash.
Rreth një sobe me dru në një dyqan në Bajram Curri, një grup grash punojnë, bisedojnë dhe shkëmbejnë foto të djemve dhe burrave të tyre, pothuajse të gjithë në Londër. Nga 12,310 emigrantë shqiptarë që shkuan në Britaninë e Madhe vitin e kaluar me varka, shumica dërrmuese ishin burra nga ky rajon malor. Ata u larguan për shkak të mungesës së punës ose ndjenjës së mërzisë dhe mungesës së shpresës. Ky eksod po transformon njëherësh jetën e grave dhe nënave që ata kanë lënë pas. Në këtë dyqan gratë mblidhen për të bërë ushqime, për të qepur rroba, për të bërë stoli të endura me dorë dhe për të vizatuar harta për t’ua shitur vendasve dhe turistëve.
Duke ruajtur rutinën e përditshme, ato kanë krijuar pikërisht atë që burrave të tyre po u mungonte në vendin e tyre: një jetë sociale, një burim të ardhurash dhe shpresë.
Pavarësisht një bumi të fundit në turizëm, mungesa kronike e vendeve të punës në Shqipëri është ende duke i larguar njerëzit. Kushtet ekonomike nuk janë aq të dëshpëruara sa ishin në komunizëm, por tranzicioni drejt një ekonomie tregu të begatë po rezulton të jetë i gjatë dhe i vështirë. Vendi ka disa nga pagat më të ulëta dhe kostot më të larta të jetesës në Ballkan. Edhe paga minimale e propozuar është gjithashtu e pamjaftueshme për të përballuar inflacionin në rritje: në vitet 2021-2022, shqiptarët shpenzuan deri në 60 për qind të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime, sipas Andi Hoxhaj, një specialist i Ballkanit Perëndimor në University College London.
Të joshur nga ideja për një mënyrë jetese më të lehtë, fermerët zhvendosën familjet e tyre në qendra të vogla urbane si Barjam Curri. Menaxherja e faqes së internetit të dyqanit që gazetarja vizitoi, Gerta, jetonte në fshat duke kultivuar perime dhe duke rritur dele derisa babai i saj vendosi të zhvendosej në një apartament në qytet në vitin 2007. Kur ai nuk ishte në gjendje të gjente punë, familja nisi të vuante nga uria.
Në këto situata, është e zakonshme që gratë të mbajnë peshën kryesore të familjes duke përdorur aftësitë e tyre të pastrimit, mirëmbajtjes apo shitjes në dyqane.
“Ndërkohë që burrat ulen përreth duke pirë raki dhe duke u ndjerë të zhburrëruar”.
Në komunizëm, gratë ishin aktive në tregun e punës, por në vitet 1990 patriarkaliteti u rishfaq, duke i futur gratë në shtëpi, veçanërisht në zonat më të thella të vendit.
Shpesh, edhe burrat që emigrojnë nuk dërgojnë para për shumë vite në shtëpi, pasi u kanë borxhe trafikantëve të qenieve njerëzore, ose nuk mund të bëjnë mjaftueshëm para me punët fizike që bëjnë në emigrim.
Gratë e mbetura vetëm duhet të vazhdojnë të mbajnë veten dhe shtëpinë.
Kjo mund të sjellë liri të reja dhe zgjim të ri për gratë. Gerta për shembull ka mësuar aftësi teknologjike nga menaxhimi i faqes së internetit dhe do të shkojë në universitet vitin e ardhshëm. Lida, menaxherja e dyqanit, u mbyll mes katër mureve të shtëpisë nga burri i saj, derisa ai u largua për të gjetur punë në Belgjikë. Me katër fëmijë për t’i rritur e vetme, nisi të bënte bizhuteri për t`i shitur, fitoi besim në vete dhe përfundimisht ndaloi së i dërguari mesazhe burrit të saj ku i kërkonte leje për të dale nga shtëpia.
Megjithatë, pavarësisht historive të suksesit ka ende gra që vuajnë nga uria, ose që bëhen viktima të skllavërisë moderne pasi duhet të paguajnë borxhet për djalin që mori një varkë për të shkuar ilegalisht në Londër.
Megjithatë, ka edhe disa anë pozitive për gjeneratën e ardhshme. Nënat e këtyre djemve të larguar tashmë kanë më shumë gjasa të përqendrohen në studimet e vajzave të tyre.
Në vitin 2021, 71 për qind e të regjistruarve në universitete në Shqipëri ishin gra, nga 58 për qind një dekadë më parë. Ndërkohë pjesëmarrja e meshkujve në fuqinë punëtore ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 30 viteve të fundit. Dy orë larg Bajram Currit, në fshatin Shtiqën të Kukësit, jeton Naze, 89 vjeç, me vajzën dhe tre mbesat.
Duke qenë se djemtë dhe nipërit e saj janë të gjithë në Londër, ajo i përqendron energjitë e saj tek vajzat e saj, dhe ‘jo vetëm t’i gjejë një burrë të pasur’, thotë ajo me krenari. Mbesa nëntë vjeçare e Nazes më përshëndet me turp në anglisht. “Ajo studion shumë”, thotë Naze. “Një ditë ajo do të jetë presidentja e Shqipërisë”.