Burrë i paskrupullt

27 Qershor, 2020 - 11:40 am

Shkruan: Ibrahim Berisha

Tregim

Burrë i paskrupullt

Ç’kemi Ara, pyeta kolegën time asistente, e cila kishte vetëm gjashtë muaj që nisi me organizmin e ushtrimeve klinike.

Nuk më duket e lehtë, por e bëj me kënaqësi, më tha.

Një fillim i mirë edhe një vazhdim i mirë, e inkurajova. Duhet t’i gëzohemi asaj që vjen, thash, po mu duk një frazë koti. Nuk e kuptova as vet për cilin vazhdim ishte fjala. Gjykova se Arës përmendja e vazhdimit të mirë i nxiti keqkuptimin.

E ke fjalën për ushtrimet, pyeti.

Po, thash preras.

Pas tre ditëve e takova kur po hynim në objekt, në orën 6.50.

Ende nuk jam mësuar të zgjohem kaq herët, u ankua.

Mua kafja më bën të zgjohem herët, qesha. Do të vij me kënaqësi, më tha ajo kur unë i oforva të dilnim më vonë në kafenenë “Bari”, që ishte në Lagjen Ulpiana, në anën e kundërt të portës hyrëse të objektit të Instituteve Mjekësore.

Ku ishe, më pyeti të nesermën në korridor, se unë nuk iu lajmërova sikur i kisha thënë.

Telefoni në banesën me qira, nuk punon, i thashë.

Çudi. Nuk ka pasur në Rilindje lajm për prishjen e linjave të telefonit në Prishtinë, tha ajo. Gazeta boton çdo ditë kronikën me atë që do të ndodhte apo kishte ndodhur.

Në ndonje mbrëmje do të dalim, shmanga temën.

I propozova për ëmbëlsira një javë mbas kafes së papirë.

Me gjithë mend e ke, më pyeti.

Sigurisht që po, i thashë.

Me gjithë mend, vazhdoi ajo dhe erdhi në sallën time ku përreth tavolinës ishin pesë karriga. Imja dhe tjerat për mysafirët, klientë e studentët që mund të vinin gjashtë herë, sa ishe orari javor i punës për të sqaruar ndonjë mëdyshje.

Kur mund të flasim seriozisht, e pyeta duke e shikuar pikëllueshëm, i befasur edhe vet, se zëri më iku.

E di nga po shkojmë, tha ajo dhe doli.

Nuk iki, por shkoi, mendova.

Nuk fola më me Arën për kafen. Shmangja takimet e kolegëve kur shkonin në ndonjë rast për të pirë bashkërisht. Gjeja njëqind arsye.

Ndihesha i mbaruar kur ajo dilte për kafe në mesditë me Eretin, kolegun tim të studimeve. Më dukej se trishtimi më kapte për dore, më tërhiqte në një pus të pafund apo në një tunel të pa dalje.

Çfarë të bëja tjetër. Bleva dy libra dhuratë. E thirra në telefon të më priste në kabinetin e saj.

Ia dhashë dhuratën e mbështjellur bukur në Sallonin e Librit.

Falemnderit shumë, më tha. Përse m’i dhuron?

Nuk ke dëgjuar, e pyeta.

Për çfarë, foli habitur.

Po shkoj në Gjermani, i thash. Pas një muaji filloj punën në Munih.

Po më le, pyet. Ishte aq i papritur shikimi i saj pikëllues sa më ranë syzet nga dora.

Edhe mua më pëlqen kur të shoh, i thashë.

Në mbrëmje pas kafes në Bar Gërmia, me Arën shkuam në kinema “Rinia I”. Nga ora 8 shikuam filmin “Tangoja e fundit në Paris”. Kur mbaroi filmi, ishte me fytyrë të skuqur, dhe dukej e hidhëruar pse kisha zgjedhur filmin, ku Paul ishte një arrogant dhe i paskrupullt.

Asnjëherë nuk e kam menduar se një burrë mund të jetë kaq i paskrupullt, tha sa dolem jashtë sallës. Të gjithë pinë duhan në sallë.

Po, ia pohova i turpëruar.

Jeanne duhet të jetë ndjerë shumë e poshtëruar.

Po, i thashë.

Po ta dija nuk kisha ardhë, tha kur u ndamë.

Të ngjajshme