8 Korrik, 2024 - 8:35 pm
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se do të ndajnë burse në vlerë të 1 mijë eurove për studentët në programin Letërsi shqipe të Fakultetit të Filologjisë.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se kjo është me qëllim promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shkencave të albanistikës, me vëmendje të veçantë programet e gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe brenda Fakultetit të Filologjisë.
“Muaj më parë kemi nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në kuadër të kësaj Marrëveshje, MAShTI për herë të parë do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në programet Bachelor dhe Master në degët Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë të UP-së. Shuma e bursës është 1 mijë euro në vit për student”.
“UP tashmë ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve. Ju ftoj që të aplikoni në këto programe dhe të përfitoni bursën studentore”, ka shkruar Nagavci.