17 Tetor, 2023 - 6:25 pm
Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Bilbili i Kosovës” do të jetësohet në një skulpturë të veçantë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë në Malishevë, për këtë ngjarje të veçantë, KultPlus ju pati lajmëruar para disa ditësh.
Ndërsa sot, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar zyrtarisht se në fundjavë do të përurohet busti i këngëtares legjendare, Nexhmije Pagarushës.
“Mbretëreshës së muzikës dhe kulturës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, këtë të shtunë, do i përurojmë një Bust meritor, në hyrje të vendlindjes së saj, Pagarushës, fshatin që shumë e deshi dhe ku trupi i saj pushon që nga 7 shkurti i vitit 2020”, ka shkruar Kastrati.
Tutje, Kastrati është shprehur se jetësimi i kësaj vepre të madhe po bëhet edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit Pagarushë, miqve e dashamirëve të familjes së madhe Pagarusha, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe për këtë, qeverisja komunale u është mirënjohës thellësisht.
“Ju ftoj që të shtunën, të gjithë bashkë të bëheni pjesë e aktiviteteve tona sipas kësaj agjende, dhe ta nderojmë ashtu siç e meriton “Bilbili i këngës shqipe”, e madhja Nexhmije Pagarusha”, shprehet tutje në njoftim Kastrati. / KultPlus.com