‘Butrint 2000’, historia e festivalit që u kthye në shkollë teatrore

29 Maj, 2024 - 4:37 pm

 Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua “lectio magistralis” me Alfred Bualotin, aktor dhe drejtori artistik të festivalit “Butrint 2000”.

Veprimtarinë e çeli drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve, akad. Stefan Çapaliku. Ai tha se festivali “Butrint 2000” është një festival shumë i rëndësishëm për jetën teatrore shqiptare, të cilin Bualoti e ktheu në festivalin e Butrintit duke e transformuar në një shkollë të jashtëzakonshme.

Dr. Anxhela Çikopano, moderatorja e aktivitetit, kujtoi se ky festival është vlerësuar shumë nga artisti Maks Velo i cili ka thënë se “duhet të kuptojmë që festivali i Butrintit është një festival i pakrahasueshëm!”

Ndërsa vetë Bualoti shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i kanë bërë festivalit kritikët e njohur si i ndjeri Adriatik Kallulli, Josif Papagjoni, Stefan Çapaliku, etj., dhe rrëfeu se “Butrint 2000” nisi të shtojë trupat pjesëmarrëse, jo vetëm se ato plotësonin parametrat artistikë, por edhe për specifikën e vendit të hapur që ishte një sprovë e madhe për shfaqjet.

Lidhur me skenën e hapur, Bualoti u shpreh se, ajo bëri që kriteri i përzgjedhjes të ishte sfidues për trupat më të mira në nivel rajonal e ndërkombëtar.

Bualoti rrëfeu rrugëtimin e këtij festivali që nisi nga një aplikim, në ‘98-n, në projektet e Ministrisë së Kulturës, kur ministër Kulture ishte kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama. Ai kujtoi se teatri antik i Butrintit në atë kohë ishte i mbuluar nga uji dhe ferrat.

Në festivalin “Butrint 2000” kanë marrë pjesë trupa teatrore nga Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Kina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria. Nga këto vende kanë pasur fatin të luajnë në skenën magjike të Butrintit rreth 3000 artistë, ndërsa shfaqjet janë ndjekur nga mijëra spektatorë vendas e të huaj./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme