13 Korrik, 2019 - 7:04 pm
Populli i Dardanisë ka ba shumë lufta për liri. E mbrama ka mbaru para 20 vjetëve. Por vendi ynë nuk asht ende krejt i lirë, ndërsa sundimtarët e pasunuem prej pushtetit sulmojnë intelektualët e skamun që shprehin mendimin e tyne të mirëmbështetun.
Kët javë, shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi e çmoi luftën e drejtë t’Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por dënoi krimet që dyshohet se i kanë ba pjesëtarët e saj.
«UÇK-ja nuk ka qenë e pastër», tha Buxhovi. «Ka qenë e drejtë, por ka pasur edhe shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së, mbas luftës».
Njerëzit e pushtetit iu vërsulën paskrupullsisht, tue e qujtë propagandist, tradhtar të kombit e shpiun të Sërbisë. Do thanë se Buxhovi po e njollon «luftën e pastër të UÇK-së» dhe «pjesë[n] më të lavdishme të historisë së kombit dhe popullit shqiptar».
Me reagimet e tyne, kundërshtarët e Buxhovit shpërfaqën sa mosdije aq dhe mosdurim ndaj drejtësisë e lirisë.
Tregunë mosdije, sepse shpikën konceptin e «luftës së pastër». Dijetarët kanë rikujtu këto ditë se e drejta dhe marrëdhaniet ndërkombëtare nuk e njohin luftën e pastër; njohin vetëm luftën e drejtë. Dhe Buxhovi e ka përsëritë ma fort se kushdo se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Kët javë ai foli për krime që shteti ynë ende nuk i ka ndëshku.
Tue i shpërfillë ato krime — mbi 100 vrasje politike të mbasluftës — përndjekësit e Buxhovit tregunë shpirtin despotik. Tue u thirrë në gjoja interesat e grupit, këta zhvleftësojnë jetën e njeriut, shtypin lirinë e individit, dhe pengojnë sundimin e ligjit. Kështu sjellja e tyne përban përkufizimin klasik të fashizmit, kurse guximi i Buxhovit thelbin e luftës për liri.
Librat e Jusuf Buxhovit i kam pasë në dorë qysh fëmijë. Atëherë nuk dijsha se ç’brezi i përkiste, nga vinte, a ç’dialekt fliste. E çmojsha si tregimtar shqiptar. Por ma fort i admirojsha herojtë liridashës për të cilët shkrunte.
Te Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, osmanët e varin Col Shkupin që ka guxu me shkru arbënisht dhe me andërru për lirinë e popullit tonë. E shkrimtarët e njimendtë duhet me qenë po aq trima sa personazhet që krijojnë.
Vite ma vonë, shkrimtarin tonë e kam taku kur kam qenë student n’Amerikë. Asokohe kam përkthy anglisht librin e tij për Kosovën nën Perandorinë Osmane. E kam përcjellë në ligjerata n’universitete amerikane, në takime me botues e intelektualë vendas, dhe në tubime me mërgimtarët tanë. Të gjithë e çmojshin dhe e përkrahshin.
Disa e mbajshin mend prej kohës kur veprat i lexoheshin si radiodramë në Prishtinë, disa prej viteve kur punonte korrespondent i Rilindjes në Gjermani, e do tjerë nga ditët e themelimit të LDK-së dhe vizitat e hershme në ShBA me kryetarin Ibrahim Rugova. Kish miq bashkëkombas nga të gjitha trojet tona dhe nga kolonitë arbëreshe. E pritshin intelektualët, biznesmenët, profesionistët, dhe punëtorët e thjeshtë. Dhe e nderojshin veçmas ata mërgimtarë që e kishin mbështetë luftën çlirimtare, tue dhanë miliona dollarë për UÇK-në ose tue iu bashku vetë radhëve të saj.
E kemi lehtë me gjetë diçka me të cilën s’pajtohemi në mbi 40 libra dhe qinda intervista e ligjerata, dhe Buxhovi ka po aq. Por asht paqytetari me e sha nji njeri aq të respektuem si Buxhovi.
Shkrimtari ynë asht kthy në vendlindje më 2000, mbasi ka kalu mbi dy dekada në mërgim si gazetar e refugjat. Për dallim prej kundërshtarëve të tij që ndjekin privilegjet e pushtetit, Buxhovi nuk ka kërku kurrë post në qeveri. Sot jeton modestisht në nji banesë të vogël në Prishtinë, ku vijon me shkru romane e publicistikë.
Foto: Unë me shkrimtarin Jusuf Buxhovi në nji promovim libri, në librarinë Dukagjini në Prishtinë, dhjetor 2016./plisi.or