Çabej: Serbët, grekët e turqit duhet t’ua dinë për nder ilirëve

1 Mars, 2023 - 1:15 pm

Shqiptarët për vite me radhë, duke qenë pjesë e kombeve të pushtuara nga shtete më të mëdha e më të fuqishme, kanë luftuar përkrah tyre luftra që ndoshta ideologjikisht nuk i besonin.

Ama duhet kuptuar se nuk ka qenë vetëm kjo arsyeja përse shqiptarët kanë luftuar përkrah ushtrive të huaja. Arsyeja kryesore është krejt tjetër!

Profesori i shquar Eqrem Çabej, në veprën studimore “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” i kushton rëndësi edhe këtij fenomeni në kapitullin “Fuqi centrifugale në historinë dhe karakterin e popullit shqiptar”.

Sipas tij, kufizimi [gjeografik] që i bëhet truallit shqiptar, e sidomos veriut e lindjes, me vargje malesh te larta, ka pasur si rrjedhojë në historinë shqiptare një farë shkëputjeje e mënjanësie përkundrejt fqinjëve. Por më të forta se këto elemente nguruese e izoluese kanë qenë në historinë dhe në karakter të shqiptarëve fuqitë që kanë vepruar nga brenda jashtë. Thatësia dhe varfëria proverbiale e shumë viseve të Shqipërisë, nuk ka mundur të ushqejë banorët.

Të shtyrë nga kjo varfëri në kufijtë e skajshmërisë dhe nga dituria se pas atyre maleve të lartë dhe përtej detit kishte fusha pjellore, i ka shtyrë banorët të mendonin të largoheshin nga trojet e tyre duke kaluar përtej atyre kufijve natyrorë.

Kështu, sipas Çabejt, shohim se si që në kohët më të lashta, fiset ilire shtriheshin në njërën anë andej detit në Itali, në anën tjetër në Hellas, në Dardani, Maqedoni e Traki gjer në Bosfor: duke kontribuar atje në mbrujtjen e nacionit italik, këtu në formimin e nacionit helenik e trak, më vonë të nacioneve serbe, greke të re e turke.

Ndërkohë, për momentet e mëvonshme kur vjen edhe pushtimi osman, shihet se ai nuk mundi të ndalte shtegtimet, por vetëm i dha të tjera drejtime.

Për këtë çështje, Çabej thotë: Osmanët e sollën në kulm dhe e përfunduan hovin shtegtues të shqiptarëve dhe kontribuan kështu në shpalimin e shpërndarjes së tyre, por jo krejt.

Pra, si qartazi lexohet më lart, profesor Çabej thotë se paraardhësit e shqiptarëve, ilirët kanë kontribut në krijimin e sa e sa nacionaliteteve, jo vetëm në vendet fqinje, por edhe në vendet e tjera të Evropës. /KultPlus.com

Të ngjajshme