1 Dhjetor, 2019 - 7:58 pm
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka vlerësuar lartë shërbimin e FSK-së në Shqipëri të bërë pas tragjedisë që ka ndodhur atje, shkruan KultPlus.com
Ai ka thënë se shërbimi i pjesëtarëve të FSK-së në Shqipëri do të kujtohet gjithmonë me vlerësimin më lartë.
Këtu keni postimin e tij të plotë:
“Mes konsideratave më të larta e falenderimeve më të mëdha për të gjitha shtetet e organizatat që qëndruan afër Shqipërisë që prej orëve të para pas tërmetit, përtej çdo mëdyshje, Forca e Sigurisë së Kosovës meriton mirënjohjen më të veçantë për përkushtimin e pakrahasueshëm, humanizmin e lartë e atdhedashurinë më të thellë dhe profesionalizmin mbresëlënës.
Shërbimi i tyre këto ditë në Shqipëri do të kujtohet gjithmonë me vlerësimin më lartë!
Në fakt, gjatë këtyre ditëve me vështirësi të shumta e me dhimbje të pafundme, e gjithë Kosova ka dhënë shembullin e një solidariteti të paparë njerëzor dhe ka dëshmuar absolutisht trajtën më të thellë të bashkëndjenjes kombëtare.
Solidariteti e mbështetja e Kosovës kësaj rradhe mbeten frymëzues përtej asaj çka mund ta shprehë rëndom gjuha”, ka shkruar Cakaj në Facebook.