24 Shtator, 2024 - 2:49 pm
Në një kohë kur bota përballet me vuajtje të njëpasnjëshme dhe dhunë të përhapur, mesazhi i “Motërzimi: n’Kohë Lufte Dhe Paqe” vjen si një thirrje e fuqishme për bashkim dhe solidaritet në festivalin FemArt.
Në këtë edicion të 12-të, i cili do të mbahet nga data 25 deri më 30 shtator 2024, mbi 200 artiste/ë dhe aktiviste/ë nga 15 shtete do të bashkohen për të promovuar artin, aktivizmin dhe dialogun feminist, duke krijuar një hapësirë për të avokuar për paqe dhe të drejtat e njeriut.
FemArt nis më 25 Shtator, 2024 me artistët e shquar nga Barcelona Flamenco Balet, që para publikut do të prezantojnë krijimin e tyre më të ri artistik “Carmen”. Një interpretim unik dhe modern i operës së famshme të Bizetit. Kjo shfaqje përzien flamenkon me baletin klasik për të sjellë në skenë mesazhin e lirisë dhe guximit të gruas, një thirrje universale për të drejtat e barabarta. Me një përzierje magjepsëse të pasionit dhe dhimbjes, Carmen paraqitet si një simbol i gruas që sfidon një botë të dominuar nga burrat, duke na ftuar të reflektojmë mbi luftën e vazhdueshme për barazi gjinore.
FemArt do të ofrojë 30 aktivitete, që përfshijnë shfaqje teatrore, performanca artistike, punëtori, panele diskutimi, koncerte, publikime dhe filma, të gjitha të dizajnuara për të inkurajuar veprimin dhe dialogun për paqe, e angazhimin për barazi./KultPlus.com