18 Korrik, 2019 - 2:17 pm
Pasi agjencia për mediat audiovizuele në Shqipëri (AMA), e ka kritikuar dhe paralajmëruar Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) për shkak të emetimit të videospoteve të këngëtares serbe Svetlane Razhnatoviç – Ceca, e cila është bashkëshortja e kriminelit serb Arkan, ka ardhur edhe reagimi nga vetë këngëtarja.
Ajo thotë se është e befasuar me këtë vendim, duke theksuar se kurrë me muzikën e saj nuk ka dërguar mesazhe politike.
“Nuk kam dëgjuar se jam ndaluar në Shqipëri. Mendoj se muzika nuk duhet të ketë kufij dhe pengesa. Së paku ky është rregulli të cilit i përmbahem gjatë karrierës sime të gjatë mbi 30 vite. Kurrë përmes këngëve të mia nuk kam dërguar ndonjë mesazh politik apo urrejtje. Gjithmonë janë dhe do të jenë të bazuara në mesazhe të dashurisë, sepse këngët e mia bashkojnë njerëzit. Sikur që edhe unë i dua të gjithë njerëzit”, ka deklaruar ajo për mediat serbe.
“Sa i përket qëndrimit tim personal, jam patriote dhe e dua popullin tim dhe gjithmonë do të jem pranë tij. Dhe të kuptohemi, kjo nuk nënkupton se urrej dikë tjetër dhe nuk respektojë njerëzit e besimit tjetër, ngjyrën apo kombin. Kjo nuk jam unë. Këtu bëhet fjalë për manipulime klasike. Do të lus që emri im mos të përzihet në këtë, publiku im është i llojllojshëm dhe ashtu do të mbetet. Dhe do t’i këndoj publikut tim kudo që është dhe kudo që dëshirojnë”, ka përfunduar ajo. /Zëri/KultPlus.com