1 Korrik, 2020 - 4:30 pm
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi këtë javë se pandemia nuk është as afër përfundimit, por në Çeki është mbajtur një festë për t’i dhënë koronavirusit një “lamtumirë simbolike”.
Mijëra të ftuar u ulën në një tryezë të gjatë 500 metra në Urën Charles në Pragë, derisa ushqimet dhe pijet e ndryshme dhe të shumta i kishin sjellë nga shtëpitë.
Në këtë festë nuk pati as distancim social, diçka që njerëzit në vendet që janë në bllokim e kanë të vështirë për ta kuptuar, transmeton Klan Kosova.
Në Çekinë që ka 10 milionë banorë janë regjistruar më pak se 12,000 raste me Covid-19, derisa kanë vdekur 350 njerëz.
Organizuesi i kësaj ngjarje dhe pronari i një kafiterie në qytet Ondrej Kobza ka thënë se kjo festë u bë e mundur të mbahej për shkak të mungesës së turistëve në qytetin e tyre të njohur si pikë turistike.
“Ne duam ta festojmë fundin e krizës së koronavirusit duke i lënë njerëzit që të takohen dhe të tregojnë se nuk kanë frikë të takohen, që ata nuk kanë frikë të marrin një pjesë të sanduiqit të fqinjve të tyre”, ka thënë ai për AFP.
Vendet për të marrë pjesë në këtë festë, që duhej të rezervoheshin paraprakisht, ishin krejt të zëna.
Çekia reagoi shumë shpejt për ta vendosur vendin në bllokim duke arritur kështu që të shmangë më të keqen e pandemisë.
Javën e kaluar, qeveria lejoi tubimet publike me pjesëmarrjen deri në 1000 persona. Pishinat, muzetë, kopshtet zoologjike dhe kështjellat janë hapur pa kufizimin e numrit të vizitorëve.
Restorantet, baret dhe pubet janë lejuar të punojnë tash e një muaj.