3 Dhjetor, 2019 - 8:30 pm
Çekia i ka kthyer pas plot katër dekadash shtetësinë shkrimtarit të njohur atje Milan Kundera.
Petr Drulak, ambasador i Republikës Çeke në Francë, tha se e ka vizituar shkrimtarin 90-vjeçar në banesën e tij në Paris të enjten e kaluar për t’ia dorëzuar certifikatën e shtetësisë çeke.
“Ky është një gjest shumë i rëndësishëm simbolik, një kthim simbolik i shkrimtarit më të madh çek në Republikën Çeke. Ai ishte në humor të mirë, vetëm e mori dokumentin dhe më falënderoi”, tha ambasadori.
Autori i veprave me famë ndërkombëtare, ishte përjashtuar nga Partia Komuniste e Çekosllovakisë së atëhershme në vitin 1950 nën akuzën për veprime anti-komuniste.
Ai ishte bërë figurë e urryer nga autoritetet e asaj kohe dhe ishte vendosur në Francë në vitin 1975.
Në vitin 1979, shkrimtarit iu mor shtetësia çekosllovake dhe dy vjet më vonë e fitoi shtetësinë franceze.
Veprat e tij më të famshme, përfshirë librin “Shkëlqimi i padurueshëm i qenies” dhe “Libri i qeshjes dhe harresës” i shkroi në Francë dhe ato u shpallën libra të ndaluar në atdheun e tij deri në fundin e viteve të tetëdhjeta.
Romani i vitit 1988, i titulluar “Pavdekësia”, ishte romani i fundit që e shkroi në gjuhën çeke, ndërsa që nga ajo kohë i ka shkruar edhe katër romane të tjera në gjuhën frënge.
Romani i tij më i ri është “Festivali i parëndësisë”, i botuar në vitin 2014.
Kundera tash jeton larg vëmendjes së publikut dhe asnjëherë nuk flet me gazetarë.
Ai e kishte vizituar atdheun për herë të parë pas largimit në vitin 1996 dhe besohet se prej asaj kohe ka bërë edhe vizita të tjera, por larg vëmendjes së mediave, shkruan “The Guardian”. / KultPlus.com