14 Korrik, 2022 - 11:10 am
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, deklaroi se është i zhgënjyer me organizatën Europa Nostra, pas vlerësimeve që ajo i bëri objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë, ku Manastirin e Deçanit e futi në listën e 7 objekteve më të rrezikuara në Kosovë.
Në një intervistë për Klan Kosova, ai u shpreh se përfaqësuesit e kësaj organizate i ka ftuar që të vinë në vendin tonë dhe ta verifikojnë gjendjen nga afër e t’i verifikojnë faktet, në mënyrë që manastirin ta largojnë nga lista, por siç u shpreh, ata nuk erdhën.
“Kalaja e Novobërdës është një nga rastet më flagrante të abuzimit me trashëgiminë kulturore të dëmtimit të vlerave të autenticitetit të një monumenti, dhe ne kemi thënë ja tani mund ta dëshmoni veten Europa Nostra nëse përnjëmend mërziteni për dëmtimin e një monumenti. Nuk ka hy Kalaja e Novobërdës në listën e 7 më të rrezikuarve për sivjet. Sipas Europa Nostra, Manastiri i Deçanit, i cili nuk e ka as edhe një problem të vogël strukturor e teknik – është i rrezikuar, ndërsa Kalaja e Novobërdës që ka pësuar dëmtime të rënda fizike, madje flitet edhe për kontrabandim të artefakteve, nuk ka hyrë në listë, dhe arsyeja është se kompania që i ka bërë ato punime në Kalanë e Novoberdës është kompani nga Serbia”.
“Nga Europa Nostra më e pakta është një kërkimfalje për qasjen e tyre joprofesionale, të pabazuar në fakte dhe duhet të bëhet edhe një tërheqje, qoftë edhe formale, sepse ajo listë i takon vitit të kaluar, është mbyllur më nuk kthehet prapa, por për hir të korrektësisë dhe për ta zhdëmtuar Kosovën, sepse jemi dëmtuar shumë në nivel ndërkombëtar”, deklaroi Çeku për Klan Kosova./ KultPlus.com