16 Korrik, 2022 - 3:25 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka reaguar ndaj raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila në një takim me sekretaren gjenerale të organizatës “Europa Nostra”, i kishte futur në një fjali shkatërrimin kulturor në Ukrainë me atë të Manastirit të Deçanit, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e mbajtur të shtunën, Çeku ka thënë se organizata “Europa Nostra”, pa të drejtë e ka përfshirë këtë manastir në shtatë monumentet më të rrezikuara në Kosovë, ndërsa e ka refuzuar ta fusë në këtë listë Kalanë e Novobërdës.
“Për ne kjo vizitë është e pakumtimtë, e vonuar dhe pa asnjë efekt. Organizata “Europa Nostra” ka humbur kredibilitetin pasi që iu është nënshtruar ndikimit politik të Serbisë. Në të njëjtën kohë ne e kemi parë një hopokrizi të kësaj organizate sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara prandaj, përveç që është e nënshtruar nga Serbia, kjo organizatë i shkel edhe objektivat e profesionalizimit dhe e refuzon Kalanë e Novobërdës për t’u përfshirë në shtatë monumentet më të rrezikuara”, ka thënë Çeku.
Ministri ka kërkuar përgjigje nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për postimin e saj lidhur me Manastirin e Deçanit kur ajo i ka përfshirë atë dhe monumentet e shkatërruara nga Rusia në Ukrainë në një fjali. Çeku ka dashur të dijë nëse Cramon ka tërhequr paralele mes Kosovës dhe Rusisë në këtë rast.
“Ditëve të fundit kemi parë një publikim nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për një takim me zyrtarë të “Europa Nostra”. Në twitterin e zonjës Cramon, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara në Ukrainë nga agresioni rus futën në një fjali. Ne duam të besojmë se ajo këtë gabim e ka bërë paqëllimshëm, që nuk i ka informatat e sakta, i ka bërë në mënyrë të ngutshme, megjithatë ajo duhet të na ofrojë një sqarim për këtë gabim që e ka bërë”, ka thënë tutje ai.
“E kemi një pyetje për Cramon, a ka tërhequr ndonjë paralele mes neve dhe Rusisë kur në të njëjtën fjali e ka përfshirë Manastirin e Deçanit dhe monumentet e Ukrainës që po shkatërrohen nga agresioni rus. Ajo duhet të na sqarojë se a tërheq paralele mes Kosovës dhe Rusisë kur i futë në një fjali”, tha ai./ KultPlus.com