29 Korrik, 2021 - 8:30 pm
Ministri në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, ka reaguar për suksesin e filmave kosovarë që tregojnë rrëfime të veçanta, prekin tema sociale, dhe problematika që sipas tij, po zgjojnë interes në gjithë botën, përcjellë KultPlus.
Për këto suksese të filmbërësve, konsiderohet se MKRS-ja po obligohet që ata të jenë përherë pranë tyre dhe të bëjnë më të mirën e tyre për të mbështetur filmin.
“Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës. Artistët tanë të talentuar po e dëshmojnë veten dhe po e lartësojnë shtetin tonë në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë”, ka shkruar Çeku.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës. Artistët tanë të talentuar po e dëshmojnë veten dhe po e lartësojnë shtetin tonë në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë.
Së fundi morëm edhe një lajm që na gëzoi shumë. “Vera Andrron Detin” me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit do të ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë ‘Venice Film Festival’. Një sukses i jashtëzakonshëm, një tjetër moment historik në kinematografinë tonë.
Kosova gjithashtu shkëlqeu në Festivalin e Kanës. Për herë të parë filmi “Pa Vend” nga Saimir Karahoda ishte në kategorinë kryesore të filmave të shkurtë dhe juria ndërkombëtare e Cinéfondation e ka përzgjedhur si kandidat i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit. Ndërsa “Luaneshat e kodrës” nga Luana Bajrami ishte pjesë e programit “Director’s Fortnight”.
Filmi “Zgjoi” (Hive) nga regjisorja Blerta Basholli bëri histori në “Sundance Film Festival”, duke u bërë i vetmi, që deri më tani, ka arritur të fitojë tri çmimet kryesore të këtij festivali kaq të rëndësishëm. Ndërsa filmi i Norika Sefës “Në kërkim të Venerës” ishte në Roterdam ku fitoi çmimin special të jurisë.
Poashtu animacioni “Clara me mustaqe” me skenar dhe regji nga Ilir Blakçori dha premierën në festivalin francez “Annecy International Animation Film Festival”, që njihet si njëri prej festivaleve më të mëdha të animacionit në botë. “Clara me mustaqe” fitoi “Çmimin e qytetit Annecy” / “City of Annecy Award”.
Por nuk ndalet këtu puna e mirë që po bëhet në këtë fushë. Së shpejti regjisorët tanë me filmat ‘Në kërkim të Venerës’, ‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Pa vend’ do të jenë pjesë e konkurrencës zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës.
Të gjithë këta filma tregojnë rrëfime të veçanta, prekin tema sociale, dhe problematika që po zgjojnë interes në gjithë botën. Sukseset e filmbërësve na obligojnë që të jemi përherë pranë tyre dhe të bëjmë më të mirën tonë për të mbështetur filmin.
Ne do të angazhohemi dhe do të rrisim përkrahjen në këtë fushë, duke filluar nga rritja e mbështetjes financiare. Do të punojmë që sukseset e tilla të vazhdojnë. I jam mirënjohës gjithë komunitetit kinematografik të Kosovës për punën vetëmohuese dhe suksesin ndërkombëtar. / KultPlus.com