12 Mars, 2022 - 6:30 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar një takim me komunitetin artistik nga Komuna e Pejës, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Çeku, ka njoftuar se atje diskutuan për zhvillimin e politikave kulturore, për problemet, sfidat, pasurimin e jetës kulturore dhe reformën ligjore.
Postimi i plotë:
“Dje, bashkë me deputeten Adriana Matoshi, ishim në Pejë, në qytetin që i ka dhuruar shumë art e artistë Kosovës. Libri e biblioteka, kënga e kori, aktorët dhe teatri, instrumentistët dhe shkolla e muzikës, artistët dhe shkolla e artit, trashëgimia dhe muzeu. Në kino-teatrin ”Jusuf Gërvalla” së bashku diskutuam për zhvillimin e politikave kulturore, për problemet, sfidat, pasurimin e jetës kulturore dhe reformën ligjore. Mbi të gjitha, nga ky takim shpresdhënës kam dalur i mbushur me energji të mirë, dhe i bindur që jemi në hapat e duhur të reformës kulturore. Sugjerimet e sfidat po evidentohen, dhe zgjidhjet po diskutohen në shumë komuna. U jam mirënjohës komunitetit për kontributin e tyre, të cilët edhe pse kanë kaluar shumë kohë të vështira, vazhdojnë të besojnë në ndryshimin që nuk është shumë i largët. I ftoj që të bashkëngjiten edhe në takimet në komunat e radhës”. /KultPlus.com