29 Dhjetor, 2021 - 9:48 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.
“Investimet kapitale strategjike ne sektorin e kulturës, studimi i fizibilitetit dhe plani rregullues i hollësishëm për Qendrën Historike të Qytetit të Prishtinës, mbrojtja dhe promovimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, përmirësimi i infrastrukturës fizike sportive, bienalja nomade Manifesta, janë vetëm disa nga pikat për të cilat u pajtuam të bashkëpunojmë gjatë vitit 2022, duke bashkërenduar përpjekjet institucionale për krijimin e kushteve të dinjitetshme për komunitetin artistik e sportiv”, shkroi mes tjerash Çeku në “Facebook”.
Ai gjithashtu tregoi se vitin po e përmbyllin me shumë nisma që trasojnë rrugën për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të kulturës e sportit në kryeqytet dhe më gjërë.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të jetë partner serioz zhvillimor, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me të gjitha institucionet publike dhe shoqërinë civile”, shkruhet në fund të postimit.
Përpos mesazheve, Çeku e Rama ndanë edhe disa fotografi. /KultPlus.com