8 Shkurt, 2022 - 3:53 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar së fundmi për Shtëpinë e Xhafer Devës, shkruan KultPlus.
Monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne europiane. Është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit. Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës” edhepse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht.
Për vite me radhë ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit, përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët. Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndesishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët. Ndërtesa ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit në vitin 2011. Në vitin 2010 është hartuar për herë të parë projekti për restaurim, ndërsa i njëjti është reviduar në vitin 2017. Ndërhyrja e kaluar restauruese nga Ministria e Kulturës është bërë në vitin 2018 (faza e parë, kryesisht konsolidim strukturor).
Nisma e fundit për restaurimin e këtij monumenti i takon verës së vitit të kaluar (faza e dytë dhe e fundit, funksionalizim), dhe është pjesë e programit të përbashkët të Ministrisë së Kulturës me Bashkimin Europian dhe UNDP-në, ku bëjnë pjesë edhe monumente të tjera (xhami, kisha, shtëpi, kulla, muze). Përzgjedhja e këtyre monumenteve është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Lajmin për këtë e kemi publikuar fillimisht në muajin qershor të vitit të kaluar dhe më pas në disa raste të tjera, ndërsa kjo temë është trajtuar gjerësisht edhe nga mediet. Është e habitshme se si muaj më pas dhe krejt papritur kjo u shndërrua në “çështje shqetësuese”. Pas restaurimit, monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore. Në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik (i pëlqeu dikujt apo jo), apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t’i shpëtuar Holokaustit. Hapësira muzeale mund t’i dedikohet vrasjeve gjatë Luftës së dytë Botërore. Mirëpo e kaluara e personalitetit përkatës nuk mund të jetë faktor përcaktues nëse ai monument e meriton të restaurohet. Monumenti i restauruar le të shërbej edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë. Përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë.
Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë. Monumentet tona janë hapësira që lehtësojnë dialogun për paqe mes komuniteteve, njëherit duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të lokaliteteve. Dialogu mund të mos jetë i lehtë, historia mund të mos i pëlqej njërës apo palës tjetrës, por ekzistenca e artefaktit është parakusht për dialogun. Diskursi që legjitimon dhunën kundër arkitekturës është i rrezikshëm, sepse ai çon drejt zhdukjes së kulturës materiale. Popujt e civilizuar e ruajnë kulturën e tyre materiale, pra dëshmitë e prekshme të historisë së tyre, ndërsa historia, siç e dimë të gjithë, nuk është gjithmonë e lavdishme. Kjo e fundit nuk duhet të na frikësojë dhe as të shndërrohet në argument kundër trashëgimisë kulturore. Ministria e Kulturës është duke investuar në gjithë trashëgiminë tonë kulturore, pa dallim, përfshi xhami e monumente islame, kisha ortodokse, kisha katolike, shtëpi tradicionale, lokalitete arkeologjike, trashëgimi shpirtërore, muze, ndërtesa publike dhe të tjera. Sivjet do të restaurohet ndërtesa që do të akomodojë Qendrën Hebraike në Prizren, ndërsa kemi dakordim në parim që Jewish Museum Vienna të na ndihmojë në kurimin e hapësirës. Në planet e Ministrisë së Kulturës për sivjet janë edhe Muzeu i Nënës Terezë në Prizren, Kisha Katolike në Ferizaj, Xhamia “Suudi Efendi” në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Hamami i Qytetit në Mitrovicë. Ndërhyrje do të ketë edhe në shumë monumente të tjera që mbajnë emra personalitetesh nga historia e hershme dhe e vonshme. Mulliri i Gjikokajve, Dyqani i Musa Goranit, Kompleksi Emin Gjiku, Kulla e Et’hem Godenit, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Shtëpia e Hynilerëve, Rezidenca e Ibrahim Rugovës, Lagjja e Hajdinëve, Shkolla Jeronim de Rada. Në listën e mbrojtjes ka shumë monumente që mbajnë emra të sulltanëve e pashallarëve, mbretërve e shenjtorëve, familjeve me shtëpi tradicionale e atyre me kullë, prijësve politik, ushtarak e fetar. Secili histori më vete, në kohë e regjime të ndryshme, mundësi e vullnete të diskutueshme. E përbashkëta e gjithë këtyre? Dëshmitë materiale të së kaluarës, ose ajo që quhet trashëgimia kulturore e Kosovës. Dhe për fund, duhet thënë hapur që ndihma e shteteve mike të Kosovës në betejën tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore është jetike. Prandaj, u bëj thirrje që sikurse në të kaluarën, të na qëndrojnë pranë edhe më tej.
Me ndihmën e tyre, monumentet tona do t’i shpëtojnë më shpejt degradimit në mënyrë që t’i shërbejnë nevojave socio-ekonomike të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, feje a përkatësie tjetër. /KultPlus.com